Ismail Hanieh dhe Khalid Meshaal, shkojnë në Arabinë Saudite
Burimet palestineze raportuan se Ismail Hanieh dhe Khalid Meshaal, udhëheqës të lëvizjes Hamas, këtë të dielë do të udhëtojnë për në Arabinë Saudite.
Sipas gazetës Al-Arabi Al-Jadeed, Moussa Abu Marzouq, kreu i marrëdhënieve ndërkombëtare i Hamasit dhe Khalid Meshaal, kreu i kësaj lëvizjeje jashtë Palestinës, janë anëtarë të delegacionit në fjalë që do të vizitojnë Riadin. Kjo vizitë mund të konsiderohet si fillimi i përmirësimit të marrëdhënieve mes lëvizjes Hamas dhe palës saudite, pasi Musa Abu Marzouq njoftoi se përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Arabinë Saudite po vazhdojnë dhe lëvizja Hamas mirëpret bisedimet dhe rivendosjen e marrëdhënieve me Riadin. Pritet që delegacioni i Hamasit të zhvillojë takime të rëndësishme me autoritetet saudite me të cilët do të diskutojë për çështje të rëndësishme mes dy palëve, duke përfshirë rivendosjen e marrëdhënieve dhe mbylljen e çështjes së të burgosurve palestinezë në Arabinë Saudite. Autoritetet saudite në vitin 2019 arrestuan me dhjetëra palestinezë dhe jordanezë, të cilët i gjykuan dhe dënuan për mbështetje të rezistencës palestineze. Lëvizja Hamas ka njoftuar se rreth 60 qytetarë palestinezë mbahen të burgosur në burgjet e Arabisë Saudite. Gjatë muajve të fundit, Arabia Saudite liroi një numër qytetarësh jordanezë dhe palestinezë të cilët ishin burgosur për mbështetje të rezistencës palestineze. Marrëdhëniet mes Hamasit dhe Arabisë Saudite janë tensionuar që nga viti 2007, pasi Riadi fajësoi këtë lëvizje për dështimin e marrëveshjes së Mekës mes Fatahut dhe Hamasit. Vizita vjen pasi Arabia Saudite dhe Irani së fundmi arritën një marrëveshje për të rifilluar marrëdhëniet dypalëshe.