Erdogan: Turqia iu bashkua grupit të shteteve bërthamore
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i143106-erdogan_turqia_iu_bashkua_grupit_të_shteteve_bërthamore
Presidenti i Turqisë deklaroi se vendi i tij i është bashkuar grupit të shteteve me energji bërthamore me hapjen e termocentralit bërthamor “Akkuju”.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Prill 27, 2023 19:14 Europe/Tirane
  • Erdogan: Turqia iu bashkua grupit të shteteve bërthamore

Presidenti i Turqisë deklaroi se vendi i tij i është bashkuar grupit të shteteve me energji bërthamore me hapjen e termocentralit bërthamor “Akkuju”.

Agjencia e lajmeve Fars njoftoi se presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, të enjten deklaroi se Turqia i është bashkuar grupit të vendeve me energji bërthamore duke hapur termocentralin e parë bërthamor në këtë vend.

Erdogan në ceremoninë e hapjes së termocentralit bërthamor "Akkuju", i cili është termocentrali i parë bërthamor në Turqi, deklaroi: "Vendi ynë i është bashkuar klubit të vendeve që kanë zhvilluar teknologjinë e energjisë bërthamore me një vonesë 60-vjeçare".

Në këtë ceremoni përmes videokonferencës kanë mbajtur një fjalim presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Termocentrali "Akkuju në jug të provincës "Mersin" të Turqisë do të jetë termocentrali i parë bërthamor në këtë vend me një kapacitet të instaluar për prodhimin e 4800 megavat energji me katër reaktorë.

Paraprakisht u raportua se ky termocentral është menduar të plotësojë 10% të nevojave të energjisë elektrike të Turqisë pas përfundimit.

Në maj të vitit 2010, Turqia dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje në të cilën thuhej se një nga filialet e kompanisë "Rosatom" do të jetë përgjegjëse për ndërtimin, pronësinë dhe funksionimin e këtij termocentrali bërthamor. Ndërtimi i reaktorit të parë në këtë central filloi në prill të vitit 2018.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin të enjten deklaroi se projekti i ndërtimit të këtij centrali bërthamor do të çojë në zhvillimin e marrëdhënieve Rusi-Turqi.

I gjithë impianti pritet të jetë funksional deri në vitin 2025.

Presidenti i Turqisë kishte thënë më parë se Ankaraja do të përgatitet shpejt për të ndërtuar dy centrale të tjera bërthamore dhe këto dy centrale bërthamore do të ndërtohen në provincën Mersin pas "Akkuju".

Vladimir Putin në këtë fjalim, tha: “Theksoj se ky është një projekt i jashtëzakonshëm. Ky projekt ka edhe përfitime ekonomike dhe ndihmon në forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe mes vendeve tona, të cilat bazohen në fqinjësinë e mirë, respektin reciprok dhe respektimin e interesave të njëri-tjetrit".