Ndërprerjet e energjisë goditën Izraelin pas një sulmi të dyshuar kibernetik
Një grup hakerësh ka marrë përgjegjësinë për një sulm kibernetik që sipas tyre ishte arsyeja e ndërprerjeve të mëdha të energjisë në disa qytete në të gjithë territoret e pushtuara nga Izraeli.
Grupi i hakerëve Anonymous Sudan, i cili në javët e fundit ka kryer disa sulme kibernetike kundër faqeve të ndryshme izraelite të internetit, njoftoi të enjten se ishte përgjegjës për ndërprerjet e fundit të energjisë në Izrael. Në një postim në kanalin e tij Telegram, grupi tha se “sulmi në sistemin elektrik ishte vetëm për argëtim. Ne do t'ju tregojmë më shumë”. Ai gjithashtu paralajmëroi për sulme të tjera, duke thënë: “Izrael, ne ende po luajmë me ty ... së shpejti do të jesh pa internet. Ne po punojmë për të mbyllur internetin në Izrael ashtu si energjia elektrike.” Ndërprerjet e energjisë shkaktuan bllokime trafiku në Tel Aviv, ndërsa prekën edhe Knesset-in dhe ministritë e qeverisë, raportuan mediat izraelite. Ndërkohë, Kompania Elektrike e Izraelit pretendoi se një mosfunksionim në termocentralin në Haifa shkaktoi ndërprerje të energjisë. “Për shkak të një defekti në një nga termocentralet në Haifa, ndërprerjet e energjisë po ndjehen në një numër zonash në mbarë vendin”, tha një zëdhënës i kompanisë. Kjo ndodh ndërkohë që kohët e fundit institucione të ndryshme izraelite janë vënë në shënjestër të sulmeve kibernetike.