Një palestinez u vra gjatë sulmit izraelit në Bregun Perëndimor
Forcat izraelite kanë vrarë një tjetër palestinez gjatë një sulmi që synonte qytetin Tulkarm në pjesën veriperëndimore të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Vrasja ndodhi në fillim të së premtes, ndërsa forcat sioniste filluan të sulmonin kampin e refugjatëve në qytetin Tulkarm, raportuan mediat palestineze. Viktima u identifikua si 23-vjeçari Mahmoud Jihad Jarrad. Jarrad u plagos në gjoks gjatë sulmit përpara se të transferohej në një spital aty pranë në një gjendje shumë kritike. Aty ai humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Në këtë sulm gjithashtu u plagosën katër palestinezë të tjerë, njëri prej tyre në gjendje kritike. Sipas Shoqatës Palestineze të Gjysmëhënës së Kuqe, forcat izraelite i penguan ambulancat që të mbërrinin në vend për të transferuar të plagosurit në spital. Viktimat u shkaktuan vetëm disa orë pasi forcat e regjimit sionist në mënyrë të ngjashme qëlluan për vdekje një të ri palestinez gjatë një sulmi në afërsi të qytetit të Nablus, i cili ndodhet gjithashtu në veri të Bregut Perëndimor. Ministria palestineze e Shëndetësisë e identifikoi viktimën si Amir Khalifa 27-vjeçar, duke thënë se ai u qëllua në kokë pasi forcat izraelite sulmuan të enjten fshatin Zavata, në perëndim të Nablusit. Regjimi pushtues sionist ka vrarë më shumë se 200 palestinezë që nga fillimi i vitit.