Brigadat Al-Kasam sulmojnë pjesën jugore të Tel Avivit
(last modified Mon, 11 Dec 2023 19:14:52 GMT )
Dhjetor 11, 2023 20:14 Europe/Tirane
  • Brigadat Al-Kasam sulmojnë pjesën jugore të Tel Avivit

Krahu ushtarak i lëvizjes së rezistencës palestineze Hamas tha se ka shënjestruar me raketa pjesën jugore të Tel Avivit në përgjigje të bombardimeve të ashpra të regjimit izraelit në Rripin e rrethuar të Gazës.

Brigadat al-Kasam në një deklaratë të shkurtër të hënën njoftuan se forcat e rezistencës kishin gjuajtur raketa në lagjet jugore të Tel Avivit dhe qytetin Holon "në përgjigje të masakrave izraelite kundër civilëve në Gaza".

Mediat izraelite konfirmuan sulmet hakmarrëse të Hamasit dhe thanë: “Një seri prej 10 raketash u lëshuan drejt Izraelit qendror, njëra prej të cilave ra në Holon, duke shkaktuar dëme të mëdha”.

Raportet thanë se një kolon sionist u plagos si pasojë e një rakete që ra në Holon dhe dëme të konsiderueshme u shkaktuan në një numër makinash.

Në një deklaratë tjetër, Brigadat al-Kasam njoftuan se të hënën dy tanke izraelite Merkava u shënjestruan me raketa anti-tank Yassin 105 në qytetin jugor të Gazës, Khan Yunis, ndërsa forcat e rezistencës u angazhuan në përleshje të ashpra me ushtrinë okupuese izraelite.

Deklarata shtoi se një numër i paspecifikuar ushtarësh izraelitë u vranë ose u plagosën pasi Brigadat al-Kasam shënjestruan një forcë speciale sioniste të strehuar në një ndërtesë në Beit Lahia, në veri të Gazës.

Raportet e mediave thanë gjithashtu se përleshje të ashpra ndodhën me forcat speciale të Izraelit në perëndim të kampit Xhabalia në veri të Rripit të Gazës.

Brigadat al-Kasam thanë se forcat e rezistencës, në 48 orët e fundit arritën të shkatërronin plotësisht ose pjesërisht 44 automjete ushtarake izraelite në të gjitha frontet luftarake në Rripin e Gazës.