Rezistenca i shkaktoi humbje të rënda Izraelit
Fronti i Rezistencës i shkaktoi humbje të rënda Izraelit pavarësisht pajisjeve të kufizuara ushtarake, tha një anëtar i lëvizjes palestineze të rezistencës Xhihadi Islamik për kanalin televiziv iranian Press TV, duke vënë në dukje se regjimi i Tel Avivit e ka njohur pjesërisht humbjen e tij.
Ali Abu Shahin, një anëtar i Byrosë Politike të Xhihadit Islamik, tha në një intervistë ekskluzive me Press TV se regjimi izraelit po i nënvlerësonte humbjet e tij.
"Megjithë pajisjet e saj të kufizuara ushtarake, Rezistenca Palestineze i ka shkaktuar humbje të mëdha armikut izraelit," tha ai.
Sipas Abu Shahin, regjimi izraelit përpiqet të mos zbulojë humbjet e tij luftarake për të ruajtur moralin e ushtarëve dhe kolonëve izraelitë.
“Sa më shumë që Izraeli të sulmojë kombin palestinez dhe Rripin e Gazës, aq më shumë humbje do të pësojë regjimi sionist", theksoi ai.
Lëvizjet e rezistencës në Gaza thonë se regjimi i Tel Avivit po i minimizon seriozisht viktimat e tij në mënyrë që të shmangë reagimin e opinionit publik dhe të rrisë moralin e forcave të tij.
Abu Shahin hodhi poshtë akuzat izraelite se "Rezistenca përdor spitalet si seli për operacionet e saj".
Ai tha se regjimi sionist po bën akuza të tilla për të justifikuar bombardimet e tij kundër qendrave mjekësore dhe xhamive në territorin e rrethuar palestinez.
“Fakti që forcat e regjimit pushtuan spitalet pa gjetur luftëtarë të rezistencës dëshmon se lëvizjet e rezistencës palestineze nuk përdorin infrastrukturën civile për operacionet e tyre ushtarake,” shtoi ai.