UNRWA paralajmëron për situatën tragjike në veri të Gazës
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ka paralajmëruar për situatën tragjike në veri të Rripit të Gazës, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në territorin e rrethuar përpara muajit të shenjtë të Ramazanit.
UNRWA e bëri paralajmërimin në një postim të dielën në rrjetin X, pasi regjimi izraelit vazhdon t'u mohojë agjencive të ndihmës të OKB-së mundësinë për të ofruar ndihma në pjesën veriore të Gazës, pavarësisht thirrjeve të përsëritura.
“Ramazani po afron. Numri i të vdekurve vazhdon të rritet”, tha UNRWA, duke theksuar nevojën për qasje humanitare në të gjithë Gazën dhe një armëpushim të menjëhershëm për të shpëtuar jetët e civilëve.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar tashmë se vdekjet e fëmijëve do të rriten me shpejtësi në Gaza nëse dërgesat e ndihmave humanitare nuk fillojnë menjëherë.
Ndërkohë, një foshnjë dhe një grua e re kanë vdekur nga kequshqyerja e rëndë dhe dehidratimi në Gazën veriore, ku rreth 300,000 njerëz po përballen me urinë pasi Izraeli bllokon shpërndarjen e sigurt të ndihmave.
Që nga fillimi i ofensivës në Gaza, regjimi i Tel Avivit ka vrarë 30.960 palestinezë dhe ka plagosur 72.524 të tjerë shumica gra dhe fëmijë.
Regjimi i Tel Avivit ka vendosur gjithashtu një rrethim të plotë në Gaza, duke ndërprerë karburantin, energjinë elektrike, ushqimin dhe ujin për më shumë se dy milionë palestinezë që jetojnë atje.