Hamasi mohon njoftimet e publikuara për propozimin e armëpushimit
Lëvizja Hamas mohoi njoftimet e publikuara në disa media arabe se kishte marrë një propozim të ri për një armëpushim.
Sipas raportit të Agjencisë Ndërkombëtare të Lajmeve Tasnim, Lëvizja e Rezistencës Islamike Palestineze (Hamas) njoftoi mëngjesin e kësaj të mërkure se raportet e publikuara në lidhje me marrjen e propozimit për një armëpushim të zgjatur dhe kthimin e personave të zhvendosur si dhe udhëtimin e delegacionit të kësaj Lëvizjeje në Kajro për të shqyrtuar këtë propozim, nuk janë të vërteta.
Natën e kaluar, gazeta "Al-Arabi Al-Jadeed", duke cituar burime egjiptiane, pretendoi se Hamasi kishte marrë një propozim të ri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me një armëpushim në Gaza.
Pas publikimit të këtij lajmi, rrjeti saudit "Al-Arabiya", duke cituar një burim të lartë në Hamas, pretendoi se Lëvizja kishte rënë dakord me këtë plan amerikan. Duke cituar këtë burim, ky rrjet saudit raportoi: "Ne, në Hamas ramë dakord me nismën e modifikuar amerikane për një armëpushim dhe për kthimin gradual të të zhvendosurve".
Javët e fundit, Hamasi dhe regjimi izraelit, me ndërmjetësimin e ndërmjetësve arabë dhe perëndimorë, zhvilluan negociata indirekte për një armëpushim në Gaza, të cilat nuk dhanë rezultate për shkak të teprimeve të Netanyahut dhe dështimit për të ndalur plotësisht luftën.
Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të negociojnë një armëpushim për në muajin Ramazan në këmbim të lirimit të të burgosurve sionistë.