Hamasi denoncon qëndrimin kokëfortë të Izraelit
Lëvizja e rezistencës palestineze, Hamas, kritikoi qëndrimin "kokëfortë" të Izraelit në negociatat e armëpushimit dhe theksoi se propozimi i fundit i regjimit të Tel Avivit për një marrëveshje armëpushimi në Gaza nuk përmbush asnjë nga kërkesat e palestinezëve.
Në një deklaratë të publikuar këtë të martë, më 9 prill, Hamasi vlerësoi përpjekjet domethënëse të ndërmjetësuesve të Katarit, Egjiptit dhe Amerikës gjatë raundit të fundit të negociatave në Kajro.
"Hamasi është i etur për të arritur një marrëveshje që i jep fund agresionit”, tha ai, duke shtuar megjithatë se Izraeli “mbetet kokëfortë dhe nuk i është përgjigjur asnjë prej kërkesave të popullit tonë dhe rezistencës sonë”.
"Lëvizja e rezistencës po studion me përgjegjësi propozimin izraelit dhe do t'u japë përgjigjen e saj ndërmjetësuesve", thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, një zyrtar i Hamasit i cili foli në kushtet e anonimitetit i tha Reuters se negociatat e Kajros ishin bllokuar për shkak të refuzimit të Izraelit për të pranuar një armëpushim të përhershëm, për të tërhequr forcat e tij nga Gaza, për të autorizuar kthimin e pakufizuar të të gjithë palestinezëve në veri të territorit dhe për të hequr bllokadën 17-vjeçare në enklavën palestineze.
Këto masa kanë përparësi ndaj kërkesës së Izraelit për lirimin e robërve të mbajtur në Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë, tha ai.