Sulmet e izraelit në qytetin Rafah
Sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Rafah kanë nisur mbrëmë me gjithë presionin për vendosjen e një armëpushimi.
Sipas Al Jazeera, kabineti i Kryeministrisë së regjimit sionist njoftoi se kabineti i luftës i këtij regjimi vendosi njëzëri vazhdimin e operacionit në Rafah për të ushtruar presionin ushtarak ndaj Hamasit për lirimin e pengjeve dhe arritjen e qëllimeve të tjera të luftës. Netanyahu tha se nuk do të pranojë një marrëveshje që mban Hamasin në pushtet. Ndërkohë, mediat palestineze mëngjesin e së martës raportuan për dislokimin e tankeve të regjimit sionist dhe vendosjen e tyre 200 metra larg kalimit kufitar në Rafah. Nga ana tjetër, raportohet se ushtria sioniste ka sulmuar zonat përreth vendkalimit Rafah, lagjet Karam Abu Salem, Al-Salam dhe Al-Junina dhe lagjen Al-Tanëar në lindje të Rafahut. Gjithashtu, 5 palestinezë ranë dëshmorë dhe disa të tjerë u plagosën në sulmin ajror të regjimit sionist në një shtëpi në lagjen Tal al-Sultan në perëndim të Rafahut. Ky sulm është kryer në një situatë kur Lëvizja e Rezistencës Islamike Palestineze Hamas, kishte shpallur akordin e saj me planin e propozuar nga Egjipti për një armëpushim me qëllim shkëmbimin e të burgosurve dhe në kohën kur populli i Gazës po gëzonte në rrugë. Sulmet e Izraelit në Rafah u kryen gjatë natës. Sipas mediave izraelite, kabineti i këtij regjimi ka pretenduar se Hamasi ka modifikuar planin e Egjiptit dhe Katarit dhe se ky plan nuk është i pranueshëm për Tel Avivin i cili do të vazhdojë operacionet e tij në Rafah. Afro 1.5 milionë palestinezë janë strehuar në qytetin Rafah që ndodhet në pikën më jugore të Gazës. Nëse operacioni sionist në këtë zonë vazhdon, refugjatët palestinezë nuk do të kenë ku të shkojnë. Zëdhënësi i regjimit sionist të hënën njoftoi fillimin e zhvendosjes së palestinezëve nga zona lindore e qytetit Rafah në zonën Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës dhe publikoi një video të banorëve të zonave lindore duke përfshirë lagjen Al-Sokah, Al-Salam Al-Junina, Tebe Zara dhe Al-Biyuk të cilëve u kërkoi të shkonin në Khan Yunis. Ndërkohë, një burim i mirë informuar në rezistencën palestineze të hënën paralajmëroi regjimin sionist se çdo sulm tokësor i këtij regjimi ndaj qytetit Rafah mund të çojë në ndërprerjen e negociatave për arritjen e armëpushimit. Ai shtoi: Lëvizja Hamas ka theksuar se kërcënimi me një sulm tokësor në Rafah nuk do të ushtrojë asnjë presion mbi lëvizjen dhe nuk do të ketë ndonjë efekt pozitiv mbi regjimin sionist në negociata. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë të premten tha se qindra mijëra njerëz rrezikojnë të vdesin. nëse regjimi sionist vazhdon me planin e tij për të sulmuar Rafahun.