Martirizohen shtatë palestinezë në sulmet ajrore izraelite në Gaza
Të paktën shtatë palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe disa të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore të regjimit sionist në zona të ndryshme të Gazës.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, cituar nga agjencia e lajmeve palestineze Sama, avionët luftarakë izraelitë shënjestruan një shtëpi banimi në qytetin e Gazës të enjten në mëngjes, sulm i cili rezultoi në martirizimin e tre personave, duke përfshirë një fëmijë, dhe plagosjen e një numri palestinezësh të tjerë.
Avionët luftarakë të regjimit sionist kanë vënë në shënjestër edhe një tjetër shtëpi banimi në qendër të qytetit Rafah, që ndodhet në jug të Gazës, ku si pasojë e këtij sulmi kanë mbetur të martirizuar katër persona.
Sipas këtij raporti, avionët izraelitë shënjestruan gjithashtu refugjatët palestinezë në një qendër të lidhur me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në kampin Xhebalia, që ndodhet në Gazën veriore.
Lajmi tjetër është se gazeta amerikane "The New York Times" në një raport, duke përmendur se shumica e shkollave dhe të gjitha universitetet në Gaza janë bërë të papërdorshme, deklaroi: "Me shkollat e shkatërruara, arsimi në Gaza do të ndërpritet për vite me radhë."
Sipas këtij raporti, më shumë se 200 shkolla në Gaza janë goditur drejtpërdrejt nga mortaja, bomba ose raketa.
"Me shkollat e shkatërruara, arsimi në Gaza do të ndërpritet për vite me radhë, gjë që mund të dëmtojë një brez të tërë banorësh, parë nga aspekti arsimor", shtoi raporti.