Dy ministra izraelitë kërcënojnë të rrëzojnë qeverinë e Netanyahut
Dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kanë kërcënuar se do të japin dorëheqje dhe do të rrëzojnë koalicionin qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, nëse ai pranon një propozim paqeje për Gazën të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden.
Biden zbuloi së fundmi atë që ai tha se ishte një propozim izraelit për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë, e që do të kombinonte lirimin e pengjeve me një “armëpushim të plotë”.
“Është koha që kjo luftë të përfundojë”, tha Biden.
Por, dy anëtarët më të shquar të ekstremit të djathtë të qeverisë izraelite, Ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e bënë të qartë se refuzojnë një armëpushim të menjëhershëm.
Smotrich kërkoi që luftimet të vazhdojnë deri në “shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e të gjithë pengjeve”, si dhe deri në “krijimin e një realiteti krejtësisht të ndryshëm sigurie në Gazë dhe Liban”.
Ndërkohë, Ben Gvir e përshkroi marrëveshjen si “të pamatur” dhe “fitore për terrorizmin”, si dhe rrezik sigurie për Izraelin.