Paralajmërim për krizë njerëzore të paprecedentë në Rripin e Gazës
Organizata e Pavarur për të Drejtat e Njeriut në Palestinë ka deklaruar se me vazhdimin e bllokadës së hekurt ndaj Rripit të Gazës, ky rajon i territorit të Palestinës ka hyrë në një krizë njerëzore të paprecedentë.
Agjencia e lajmeve ISNA njoftoi se Organizata e Pavarur për të Drejtat e Njeriut e Palestinës ka deklaruar: "Dhimbjet dhe vuajtjet e popullatës palestineze në Rripin e Gazës janë shtuar dhe kanë arritur në nivel tejet kritik pas operacioneve ushtarake të pushtuesve izraelitë në Rafah dhe marrjen e kontrollit mbi korridorin Rafah nga ana e autoriteteve izraelite".
Sipas këtij raporti, mbyllja e korridorit Rafah, ka privuar popullatën palestineze të Rripit të Gazës nga qasja në damarin e vetëm jetik dhe personat e plagosur dhe ata me sëmundje të rënda janë duke pritur për çdo ditë për t'u transferuar nga ky rajon për shkak se spitalet e Rripit të Gazës tashmë pothuajse nuk funksionojnë fare.
Organizata e Pavarur e të Drejtave të Njeriut e Palestinës ka shtuar: "Kriza në Rripin e Gazës është bërë shumë më serioze sesa që ishte më parë dhe fëmijët palestinezë po vuajnë në mënyrë serioze nga kequshqyrja dhe mbi 20 mijë pacientë me sëmundje të rënda si dhe personat e plagosur janë privuar nga e drejta për t'u kuruar për shkak të mbylljes së korridorit Rafah".
Kjo organizatë palestineze për të drejtat e njeriut ka kërkuar nga palët ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur agresionin dhe sulmet barbare të regjimit pushtues izraelit si dhe për të hapur korridorin Rafah për transferimin e personave të sëmurë dhe të plagosur.
Pushtuesi izraelit pavarësisht dënimeve që janë bërë nga qarqet ndërkombëtare dhe rajonale, po vazhdon agresionin e tij barbar për të dhjetin muaj me radhë kundër Rripit të Gazës.