Mirëpritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër regjimit sionist
Vendet arabe e mirëpritën vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër regjimit sionist.
Duke iu referuar ndërtimit dhe përhapjes së vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të premten e quajti "të paligjshme" praninë e regjimit sionist në territoret e pushtuara palestineze dhe kërkoi t'i jepet fund asaj.
Ministria e Punëve të Jashtme saudite, duke përshëndetur këtë vendim, theksoi domosdoshmërinë e masave praktike dhe të vlefshme për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për çështjen palestineze.
Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite theksoi se ky vendim duhet të garantojë të drejtën legjitime dhe ligjore të popullit palestinez për të përcaktuar fatin e tij dhe për të formuar një shtet të pavarur palestinez brenda kufijve të vitit 1967, me qendër në Kudsin Lindor.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kuvajtit, në një deklaratë përshëndetëse për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë theksoi: "Ky vendim është, në fakt, një njohje e moslegjimitetit të regjimit okupator të Izraelit dhe paligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ky regjim."
Gjithashtu, edhe Omani e mirëpriti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të zbatojë rezolutat dhe Kartën Ndërkombëtare të të Drejtave. Qeveria e Muskatit theksoi qëndrimin e saj të vendosur në dobi të popullit palestinez në lidhje me të drejtën e tij të patjetërsueshme për të formuar një shtet të pavarur brenda kufijve të vitit 1967, me qendër në Kudsin Lindor.
Në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili është bërë i ditur me anë të një komunikate, thuhet: "Izraeli ka abuzuar me pozitën e tij si fuqi pushtuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, nëpërmjet zbatimit të politikave të aneksimit të tokës, vendosjes së kontrollit të përhershëm dhe ndërtimit të vendbanimeve (kolonive)."
Ky vendim është marrë ndërkohë që, pas sulmeve shkatërruese ushtarake 10-mujore të regjimit sionist në Gaza, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është duke hetuar në një dosje tjetër akuzën e bërë nga Afrika e Jugut bazuar në faktin se regjimi sionist ka kryer gjenocid në Gaza.
Më 29 dhjetor 2023, Afrika e Jugut paraqiti një ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe kërkoi gjykim kundër regjimit sionist për shkeljen e Konventës së Gjenocidit gjatë sulmeve në Gaza.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me votën unanime të 13 gjyqtarëve, urdhëroi ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake izraelite në Rafah dhe kërkoi rihapjen e vendkalimit Rafah për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Pavarësisht dënimit ndërkombëtar të regjimit pushtues sionist në forumet ndërkombëtare, mbështetja e vendeve perëndimore dhe veçanërisht e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë që forumet ndërkombëtare të mos jenë në gjendje të ndërmarrin veprime efektive kundër krimeve të regjimit sionist.
Dënimet dhe deklaratat e forumeve ndërkombëtare si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk kanë mundur t'i pengojnë sionistët të ndërtojnë vendbanime në tokat e pushtuara dhe të kryejnë krimet e tyre në Rripin e Gazës.