Hezbollahu lëshon breshëri raketash mbi objektivat izraelite
Lëvizja e Rezistencës së Libanit Hezbollah ka lëshuar dhjetëra raketa në disa sulme hakmarrëse ndaj pozicioneve ushtarake izraelite në veri të territoreve të pushtuara palestineze.
Hezbollah tha se një breshëri raketash Katyusha u lëshua mbi selinë e sapokrijuar të Divizionit 146 në Giaton, në orët e para të së hënës.
Ai shtoi se operacioni u krye në përgjigje të sulmeve të Izraelit ndaj zonave civile në Libanin jugor, veçanërisht në qytezën Maaroub, si dhe në mbështetje të palestinezëve në Gaza.
Sipas kanalit televiziv libanez Al-Manar, zhurma e shpërthimeve u dëgjua në qytezën Nahariya deri në zonën Al-Kariyot në qytetin Haifa.
Disa burime raportuan se më shumë se 30 raketa u hodhën nga Libani në drejtim të veriut të Palestinës së pushtuar.
Mediat sioniste e kanë konfirmuar gjithashtu raportin, duke thënë se sulmi me raketa shkaktoi aktivizimin e sirenave paralajmëruese në Nahariya dhe në rajonin e Galilesë Perëndimore.
Mediat e regjimit sionist thanë se sistemi i mbrojtjes ajrore Iron Dome nuk ishte në gjendje të kapte shumicën e raketave të Hezbollahut.
Sulmi i ri erdhi disa orë pasi Hezbollahu nisi një seri sulmesh me dronë dhe raketa mbi bazat sioniste.
Më herët, të dielën, në një sulm me raketa, luftëtarët e Hezbollahut sulmuan rrethinat e një baze ushtarake, ku ishin mbledhur ushtarët sionistë.
Në një deklaratë në të njëjtën ditë, grupi i Rezistencës tha se dronët e tij luftarakë goditën bazën Malikiyah, duke shkaktuar dëme të rënda në objektet e spiunazhit të armikut. Ai gjithashtu njoftoi për dy sulme të veçanta në bazat ushtarake Al-Marxh dhe Ruwaisat Al-Alam.
Që nga fillimi i luftës gjenocidale izraelite në Gaza, Hezbollahu dhe ushtria e regjimit sionist kanë shkëmbyer zjarre përgjatë kufirit jugor të Libanit pothuajse çdo ditë.