Grevë e përgjithshme në Tel Aviv dhe qytete të tjera izraelite
Një grevë e përgjithshme që është gati të bllokojë të gjithë ekonominë izraelite është duke u zhvilluar në të gjithë territoret e pushtuara palestineze për të bërë presion ndaj kabinetit aktual të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu për të arritur një marrëveshje që do të siguronte lirimin e robërve të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës.
Sindikata më e madhe izraelite e punës, e njohur si Histadrut, thirri një grevë të përgjithshme pasi trupat e gjashtë robërve izraelitë u gjetën brenda një tuneli në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Dhjetëra protestues bllokuan rrugën Ibn Gvirol në qytetin bregdetar të Tel Avivit, duke kërkuar që administrata izraelite të arrijë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas një liste të publikuar nga Histadrut dhe deklaratave nga disa qytete dhe komuna, bashkitë e disa qyteteve përfshirë Tel Avivin dhe Haifën, kanë deklaruar se do t'i bashkohen grevës.
Lista vazhdon të përfshijë shumë ministri si ministria e brendshme dhe pjesë të zyrës së kryeministrit izraelit.
Universitetet më të mëdha të Izraelit, përfshirë Universitetin e Tel Avivit, kanë njoftuar gjithashtu se do t'i bashkohen grevës.
Udhëheqësi i opozitës izraelite dhe ish-kryeministri Yair Lapid tha se ai e mbështet grevën.
Ministria e Financave e Izraelit tha se punëtorët që i bashkohen grevës rrezikojnë të mos paguhen nga punëdhënësit. Bazuar në rregullat izraelite të punës, pagat nuk do t'u paguhen punëtorëve që mungojnë dhe marrin pjesë në grevë.