Forcat izraelite qëllojnë mbi paqeruajtësit e OKB-së në Liban
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i163556-forcat_izraelite_qëllojnë_mbi_paqeruajtësit_e_okb_së_në_liban
UNIFIL thotë se ushtarët izraelitë “qëlluan me qëllim dhe çaktivizuan” kamerat e monitorimit në vend përpara sulmit në Labbouneh.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 10, 2024 19:05 Europe/Tirane
  • Forcat izraelite qëllojnë mbi paqeruajtësit e OKB-së në Liban

UNIFIL thotë se ushtarët izraelitë “qëlluan me qëllim dhe çaktivizuan” kamerat e monitorimit në vend përpara sulmit në Labbouneh.

Ndërsa Izraeli vazhdon me sulmin e tij ndaj Hezbollahut, ushtria izraelite qëlloi "në mënyrë të përsëritur" në selinë dhe pozicionet e UNIFIL në jug të Libanit, duke plagosur dy anëtarë të forcës paqeruajtëse, thonë Kombet e Bashkuara. UNIFIL – Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban –të enjten tha se dy prej paqeruajtësve të saj u plagosën pasi një tank izraelit “qëlloi me predha” në një kullë vrojtimi në selinë e kësaj force, që ndodhet në zonën kufitare të qytetit Naqoura.  Sulmi në kullë shkaktoi plagosjen e dy paqeruajtësve. “Lëndimet fatmirësisht nuk janë të rënda, por ata janë transferuar në spital”, thuhet në deklaratën e UNIFIL. Ushtarët izraelitë gjithashtu qëlluan mbi një pozicion të paqeruajtësve të OKB-së - të quajtur "1-31" - në fshatin Labbouneh, "ku kanë goditur hyrjen e bunkerit ku ishin strehuar paqeruajtësit dhe kanë dëmtuar automjete dhe një sistem komunikimi", tha UNIFIL. Të mërkurën, ushtarët izraelitë “qëlluan me qëllim dhe kanë çaktivizuar” “kamerat e monitorimit” të forcës paqeruajtëse. Ushtria izraelite gjithashtu kishte "qëlluar qëllimisht" në një tjetër pozicion të forcës së OKB-së - të quajtur 1-32A - në zonën kufitare Ras Naqoura, ku ishin mbajtur takime të rregullta përpara fillimit të konfliktit. Në këtë sulm ata kanë dëmtuar sistemin e ndriçimit dhe një stacion furnizimi me energji elektrike", tha UNIFIL.  Andrea Tenenti, zëdhënësi i UNIFIL, ka thënë për Al Jazeera se sulmi i fundit izraelit ishte një zhvillim "shumë serioz" dhe shqetësues.  Tenenti tha se UNIFIL ishte në diskutime me autoritetet izraelite "për të kuptuar atë që ndodhi", por theksoi se "vënia në shënjestër e paqeruajtësve është një shkelje shumë e rëndë, jo vetëm e Rezolutës 1701, por edhe e ligjit ndërkombëtar humanitar.” Ai tha se ushtria izraelite u kishte kërkuar më parë paqeruajtësve të UNIFIL "të lëviznin nga pozicione të caktuara përgjatë Vijës Blu, por ne vendosëm të qëndrojmë sepse është e rëndësishme që flamuri i OKB-së të valojë në [jug] të Libanit". "Nëse situata bëhet e pamundur që misioni të operojë në jug të Libanit ... do të jetë në dorën e Këshillit të Sigurimit të vendosë se si të ecet përpara," tha ai. Pas sulmit nuk është bërë asnjë koment nga ushtria izraelite, e cila po zhvillon një ofensivë të egër ushtarake në Liban kundër Hezbollahut.