40 vende dënojnë sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve në Liban
(last modified Sun, 13 Oct 2024 19:06:16 GMT )
Tetor 13, 2024 21:06 Europe/Tirane
  • 40 vende dënojnë sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve në Liban

Kryeministri i regjimit izraelit Benjamin Netanyahu i ka bërë thirrje shefit të OKB-së Antonio Guterres që të largojë “menjëherë” forcat paqeruajtëse në Libanin jugor, ndërsa 40 vende kanë “dënuar fuqishëm” sulmet e Izraelit ndaj këtyre forcave në Liban.

“Zoti Sekretar i Përgjithshëm, largoni forcat UNIFIL nga rreziku. Kjo duhet të bëhet menjëherë,” tha Netanyahu në një video deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.

Në fillim të këtij muaji, Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, e shpalli Guterresin person ‘non grata’ pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit.

Të enjten, dy paqeruajtës indonezianë u plagosën duke rënë nga një kullë vëzhgimi pasi tanket izraelite qëlluan drejt saj.

Të premten, forcat e regjimit sionist pranuan se trupat izraelite ishin përgjegjëse për një incident në të cilin u plagosën dy ushtarë të Sri Lankës  në Nakoura, dhe se ky rast do të hetohej.

Ndërsa Kombet e Bashkuara, të shtunën, thanë se një tjetër paqeruajtës u plagos nga të shtënat me armë në jug të premten, megjithëse shtoi se nuk e dinte origjinën e zjarrit.

Në një deklaratë të përbashkët të postuar në rrjetin X, nga misioni polak i OKB-së, 40 vende të botës thanë se sulmet ndaj Forcave të Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) “duhet të ndalojnë menjëherë dhe duhet të hetohen në mënyrë adekuate”.

“Ne e konsiderojmë rolin e UNIFIL në Liban si veçanërisht vendimtar në dritën e situatës së tensionit në rritje në rajon,” shton deklarata.

 

Tags