Dërgohen destrojerë dhe avionë bombardues amerikanë në Lindjen e Mesme
(last modified Sat, 02 Nov 2024 08:41:01 GMT )
Nëntor 02, 2024 09:41 Europe/Tirane
  • Dërgohen destrojerë dhe avionë bombardues amerikanë në Lindjen e Mesme

Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, njoftoi në një deklaratë se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka urdhëruar dërgimin e më shumë trupave për të përforcuar trupat amerikane të dislokuara në rajonin e Lindjes së Mesme me qëllim rritjen e pranisë ushtarake të SHBA-së në rajon për të mbrojtur Izraelin.

 

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Pat Ryder tha: "Ndërsa task forca e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln përgatitet të largohet, këto forca do të mbërrijnë në muajt e ardhshëm."

Sipas tij, këto dislokime bazohen në vendimin e fundit për vendosjen e sistemit të mbrojtjes raketore THAAD në territoret e pushtuara të Palestinës, si dhe për vendosjen e një task-force amfibe nga ana e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së në lindje të Mesdheut.

Këto transferime dhe lëvizje të aseteve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, Ryder i konsideroi si tregues të aftësisë së këtij vendi për të vendosur ushtrinë e tij në kohën më të shkurtër të mundshme në pjesë të ndryshme të botës dhe theksoi: "Nëse një rrezik kërcënon personelin apo asetet ushtarake apo interesat e Shteteve të Bashkuara në rajon, Uashingtoni do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur forcat dhe asetet e veta ushtarake."

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe tre destrojerë të Marinës Amerikane që i përkasin task-forcës së kësaj aeroplanmbajtëseje, është planifikuar të largohen nga Lindja e Mesme dhe të kthehen në portin e tyre të origjinës, në San Diego, deri në mes të këtij muaji.

Në kuadër të frikës nga reagimi i Iranit ndaj çdo agresioni të regjimit sionist, në një letër drejtuar Kongresit të këtij vendi, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se ushtarët amerikanë do të mbeten në rajonin e Azisë Perëndimore (Lindja e Mesme).