Iraku ndez dritën jeshile për Iranin për t'u hakmarrë ndaj Izraelit
(last modified Sun, 03 Nov 2024 10:06:27 GMT )
Nëntor 03, 2024 11:06 Europe/Tirane
  • Iraku ndez dritën jeshile për Iranin për t'u hakmarrë ndaj Izraelit

Lëvizja e Rezistencës Irakiane, ndërsa shpalli gatishmërinë për të bashkëpunuar me Iranin në përgjigje të agresionit të fundit të regjimit sionist, njoftoi se Teherani ka të drejtë të sulmojë këtë regjim nga brenda Irakut.

Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, Haydar Al-Lami, anëtar i Këshillit Politik të Lëvizjes Al-Nujaba të Irakut, tha: "Në sulmin e fundit ndaj Iranit, regjimi sionist shkeli qiejt e Irakut dhe të gjitha ligjet ndërkombëtare. Amerika, gjithashtu, bashkëpunoi me regjimin sionist, edhe pse të dyja palët kanë firmosur marrëveshjen e kornizës strategjike dhe marrëveshje të tjera sigurie.

Në një intervistë për gazetën libaneze "Al-Akhbar", Al-Lami tha: "Është e drejta e Iranit të sulmojë territoret e pushtuara nga çdo pikë e territorit të Irakut. Rezistenca Islamike e Irakut është pjesë e Boshtit të Rezistencës. Prandaj, për ta kryer këtë përgjigje dhe koordinim në kohën dhe në vendin e duhur, ka koordinim të plotë me Iranin."

Al-Lami paralajmëroi gjithashtu Amerikën se ky grup do t'i përgjigjet çdo sulmi nga çdo bazë amerikane apo izraelite, nga cilido vend që do të kryhet sulmi.

Gjithashtu, anëtari i Këshillit Politik të Lëvizjes Al-Nujaba të Irakut theksoi: "Kërcënimet e Izraelit për të sulmuar Rezistencën Irakiane nuk na trembin aspak." Ky zyrtar i Lëvizjes Al-Nujaba theksoi: "Qëllimi ynë është të mbështesim Gazën dhe sulmet tona do të përfundojnë vetëm kur të ndalojë sulmi në Gaza."

Në javët dhe muajt e kaluar, Rezistenca Islamike e Irakut kishte sulmuar objektiva të ndjeshme e të rëndësishme në Eilat, që ndodhet në jug të Palestinës së pushtuar.

Më herët, në operacionet e kaluara, ky grup kishte paralajmëruar territoret e pushtuara se nëse regjimi sionist vazhdon sulmet në Rripin e Gazës, ai do të intensifikojë operacionet kundër pozicioneve të këtij regjimi.

 

Tags