Parlamenti Arab dënon kërcënimin e Izraelit për të sulmuar Irakun
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i164990-parlamenti_arab_dënon_kërcënimin_e_izraelit_për_të_sulmuar_irakun
Parlamenti i Vendeve Arabe, përmes një deklarate, të mërkurën në mbrëmje dënoi kërcënimin e Izraelit për të sulmuar Irakun.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Nëntor 21, 2024 08:23 Europe/Tirane
  • Parlamenti Arab dënon kërcënimin e Izraelit për të sulmuar Irakun

Parlamenti i Vendeve Arabe, përmes një deklarate, të mërkurën në mbrëmje dënoi kërcënimin e Izraelit për të sulmuar Irakun.

Sipas gazetës egjiptiane "Al-Yaum Al-Sabi'", në deklaratën e Parlamentit të Vendeve Arabe thuhet se ky organ legjislativ deklaron mbështetjen e vet për sovranitetin, sigurinë dhe stabilitetin e Irakut dhe kundërshton çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Bagdadit.

Parlamenti i Vendeve Arabe, selia e të cilit ndodhet në Kajro të Egjiptit, vuri në dukje: "Ne, gjithashtu, e dënojmë ankesën e Izraelit kundër Irakut në Këshillin e Sigurimit."

Gjithashtu, në deklaratën e Parlamentit të Vendeve Arabe thuhet: "Regjimi pushtues, së pari duhet të zbatojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe t'i përmbahet ndalimit të menjëhershëm të vrasjeve dhe masakrave në Gaza dhe në Liban."

Gjithashtu, Parlamenti i Vendeve Arabe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare, institucionet përkatëse dhe vendet me ndikim, që të ushtrojnë presion mbi regjimin sionist për të parandaluar planet që e çojnë rajonin drejt një lufte rajonale dhe rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e Lindjes së Mesme.

Gideon Sa'ar, ministri i Jashtëm i regjimit sionist, në një postim në platformën sociale X tha se i ka dhënë një letër kreut të Këshillit të Sigurimit, në të cilën kërkonte marrjen e masave të menjëhershme kundër aktiviteteve të "grupeve irakiane të mbështetura nga Irani", të cilët përdorin tokën irakiane për të sulmuar territoret e pushtuara.

Gjatë mbledhjes javore të qeverisë së Bagdadit, kryeministri i Irakut, Mohammad Shia al-Sudani, duke reaguar kundër kësaj letre të sionistëve theksoi: "Letra e regjimit sionist drejtuar Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është një justifikim për të sulmuar Irakun dhe për realizimin e përpjekjeve të vazhdueshme të këtij regjimi për zgjerimin e luftës në rajon."