Ushtria siriane po përballet me sulmin e grupeve terroriste
Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura të Sirisë bëri të ditur se është përballur me sulmin e ashpër të grupeve terroriste në provincat Alepo dhe Idlib.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura të Sirisë njoftoi në një deklaratë të premten se forcat e armatosura të vendosura në provincat Alepo dhe Idlib po përballen me një sulm masiv nga grupi terrorist Hay'at Tahrir al-Sham (Fronti Al-Nusra).
Forcat e armatosura siriane deri më tani u kanë shkaktuar humbje të mëdha grupeve sulmuese dhe kanë vrarë e plagosur qindra terroristë.
Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura të Sirisë shtoi se dhjetëra pajisje, si armatime dhe automjete ushtarake e të blinduara të terroristëve, janë shkatërruar dhe shtatë dronë të tyre janë rrëzuar.
Sipas rrjetit Euronews, Alepo është qyteti i dytë më i madh në Siri, i cili u rimor nga forcat pro-Bashar al-Asad prej forcave opozitare tetë vjet më parë.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi gjithashtu se kundërshtarët e presidentit Bashar al-Asad kanë marrë nën kontroll pesë lagje në qytetin e Alepos. Ushtria siriane ka thënë gjithashtu se është duke u përballur me një “sulm të madh” në qytetin e Alepos.
Grupet terroriste në veriperëndim të Sirisë sulmuan që nga orët e para të mëngjesit të së mërkurës pozicionet e ushtrisë siriane në periferinë perëndimore të Alepos, në betejën e titulluar "Parandalimi i Agresionit".
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Astana në vitin 2017 ndërmjet Iranit, Rusisë dhe Turqisë si shtete garantues të paqes, në Siri u krijuan katër zona të sigurta (të uljes së tensionit).
Tre zona u vunë nën kontrollin e ushtrisë siriane në vitin 2018, por rajoni i katërt, i cili përfshin provincën Idlib në veriperëndim të Sirisë, pjesë të provincave Latakia, Hama dhe Alepo, është ende në duart e grupeve terroriste dhe thuhet se kontrolli i këtij rajoni është më shumë në zotërim të grupit terrorist "Hay'at Tahrir al-Sham" (Fronti Al-Nusra).