Sulme ajrore ruse dhe siriane ndaj pozicioneve të terroristëve
Në të njëjtën kohë me përleshjet e ashpra në lindje të Alepos dhe në veri të provincës Hamah, avionët luftarakë rusë, po ashtu edhe ata sirianë bombarduan rëndë bazat e terroristëve në provincën Idlib.
Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, dhjetëra terroristë u vranë dhe u plagosën në orët e para të mëngjesit të sotëm (e mërkurë) nga sulmet e avionëve luftarakë rusë dhe sirianë ndaj pozicioneve dhe bazave të terroristëve në rajonin "Kafardan" të provincës Idlib.
Gjithashtu, avionët luftarakë të ushtrisë siriane kanë vënë në shënjestër të sulmeve të tyre edhe automjetet e një grupi terroristësh që po arratiseshin në drejtim të fshatit "Murak" në veri të provincës Hamah.
Shkalla e dëmeve në njerëz është e tillë, saqë sipas burimeve vendase, autoambulancat po transportojnë kufomat dhe të plagosurit në spitalet e Idlibit pa asnjë moment pauzë.
Rrjeti televiziv "Al-Mayadeen" raportoi gjithashtu se grupi terrorist "Hay'at Tahrir al-Sham" u kërkoi të gjitha spitaleve të Idlibit që të mos pranonin asnjë pacient dhe të trajtonin vetëm të plagosurit.
Sipas këtij raporti, spitalet e rajoneve Idlib, Eriha, Misrain, Banesh dhe Sarmeda kanë pranuar dhjetëra terroristë të plagosur, disa prej të cilëve u janë prerë krahët dhe këmbët.
Nga ana tjetër, sistemet mbrojtëse të ushtrisë siriane kanë kapur dhe shkatërruar 11 dronë të terroristëve që po fluturonin në drejtim të qytetit Hamah.
Rrjeti televiziv sirian "Al-Akhbariya" raportoi gjithashtu se ushtria ka rimarrë nga grupet terroriste disa zona në veri të provincës Hamah.
Që nga mëngjesi i 27 nëntorit 2024, me mbështetjen e disa vendeve dhe ardhjen e forcave të reja të huaja, grupet terroriste nisën një sulm masiv ndaj pozicioneve të ushtrisë siriane në veriperëndim, perëndim dhe jugperëndim të Alepos.