Ushtria siriane ka rimarrë nga terroristët disa zona në Hamah
Forcat e ushtrisë siriane kanë mundur të marrin nën kontroll të enjten në mbrëmje aeroportin ushtarak të qytetit Hamah dhe një zonë në veri të këtij qyteti.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, ushtria siriane ka mundur të rimarrë shpejt kontrollin e disa pikave strategjike rreth qytetit Hamah, që u pushtuan nga terroristët e armatosur mbrëmjen e kaluar, duke kryer operacione me helikopterë dhe nëpërmjet zbarkimit të parashutistëve.
Duke kryer kundërsulme kundër terroristëve, forcat e ushtrisë siriane arritën të merrnin nën kontroll selinë e Brigadës Speciale 87 dhe aeroportin ushtarak të qytetit Hamah, si dhe zonën "Xhebel Zain al-Abidin" (5 km në veri të qytetit Hamah).
Gjithashtu, nga forcat e ushtrisë siriane u çliruan edhe fshatrat Khattab dhe Ma'rades në veri të qytetit Hamah. Në të njëjtën kohë, avionët luftarakë të ushtrisë ruse sulmuan edhe një kolonë terroristësh në urën Al-Rasten në rrugën Hamah-Homs.
Gjithashtu, avionët luftarakë rusë bombarduan edhe pozicionet e terroristëve në qytetin Khan Sheikhun në jug të provincës Idlib, i cili u pushtua 5 ditë më parë nga grupi "Xhabhat al-Nusra".
Nga ana tjetër, Qendra Ruse për Pajtim në Siri (që varet nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë), njoftoi se forcat ajrore ruse dhe ato siriane kanë vrarë 300 terroristë në provincat Idlib, Alepo dhe Hamah gjatë 24 orëve të fundit.
Elementët e grupit "Hay'at Tahrir al-Sham" mundën të hynin në qytetin Hamah të enjten pasdite dhe ushtria siriane njoftoi se kishte transferuar pozicionet e saj jashtë qytetit për të parandaluar dëmtimin e civilëve.
Pak orë më parë, ministri i Mbrojtjes i Sirisë, në një koment për zhvillimet e fundit në këtë vend, tha se organizatat tekfiriste që po kryejnë lëvizje kundër ushtrisë siriane, mbështeten nga disa vende të rajonit dhe botës.
Gjeneral-lejtnanti Ali Mahmoud Abbas tha: "Ne e këshillojmë popullin e dashur të Sirisë të ruajë durimin dhe qëndrestarinë e vet dhe të jetë i sigurt se ne nuk do të dështojmë në rivendosjen e sigurisë në zonat e pushtuara nga terroristët."