Ushtria sioniste pushton dy qytete siriane
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i165576-ushtria_sioniste_pushton_dy_qytete_siriane
Ushtria sioniste pushtoi qytetet Baath dhe Hadar në provincën Kuneitra të Sirisë dhe po lëviz drejt qytetit Daraa.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Dhjetor 09, 2024 10:38 Europe/Tirane
  • Ushtria sioniste pushton dy qytete siriane

Ushtria sioniste pushtoi qytetet Baath dhe Hadar në provincën Kuneitra të Sirisë dhe po lëviz drejt qytetit Daraa.

Sipas agjencisë së lajmeve të Radio-Televizionit të Iranit (IRIB), "New York Times" në një raport shkroi: "Forcat tokësore izraelite, për herë të parë që nga lufta e Tetorit 1973, hynë në Siri. Në të njëjtën kohë me rënien e qeverisë siriane, komandantët e ushtrisë izraelite urdhëruan sulme të gjera ajrore në provincat jugore të Sirisë dhe vendosën Divizionin e 98-të të këmbsorisë, brigadat e parashutistëve dhe rojave kufitare në Golanin e pushtuar.

Sipas rrjetit televiziv Al-Jazeera, Izraeli ka "zaptuar" toka në zonat e kontrolluara nga Siria në Lartësitë Golan dhe paralajmëroi sirianët që jetojnë në pesë fshatra pranë zonës strategjike të pushtuar nga Izraeli që të "qëndrojnë në shtëpi".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të dielën njoftoi se marrëveshja e vitit 1974 e monitoruar nga OKB-ja, që krijoi një zonë neutrale midis Izraelit dhe Sirisë, tashmë ka përfunduar, pasi forcat siriane u tërhoqën nga rajoni si pasojë e ndryshimit të pushtetit në Damask. Si rezultat Izraeli ka urdhëruar forcat e tij që të pushtojnë zonën neutrale në Lartësitë e Golanit.

Netanyahu tha: "Ne nuk do të lejojmë që asnjë forcë armiqësore të vendoset në kufirin tonë."

Në ditën e parë të fillimit të operacionit në Siri, ushtria izraelite vendosi forcat e saj në zonën kufitare në rajonin Hadar dhe zonën shumë të rëndësishme të malit Hermon. Ushtria izraelite me tanket e saj avancoi drejt qyteteve Kuneitra, Al-Baath, Hamidiyeh dhe Al-Rawadi.

Duke pasur parasysh paralajmërimet e regjimit sionist për evakuimin e banorëve të rajoneve jugore të Sirisë, në orët në vijim ka të ngjarë që zonat Ofanieh, Kuneitra, Hamidiyeh, Samadaniyeh Al-Gharbiyeh dhe Al-Kahtaniyeh të vihen nën kontrollin e sionistëve.

Në kushtet aktuale në Siri, avionët izraelitë kanë kryer më shumë se 100 sulme ajrore kundër objekteve ushtarake dhe depove të armëve të ushtrisë siriane.