Sulmet izraelite vrasin 70 palestinezë dhe plagosin 100 brenda një dite
(last modified Fri, 13 Dec 2024 05:38:40 GMT )
Dhjetor 13, 2024 06:38 Europe/Tirane
  • Sulmet izraelite vrasin 70 palestinezë dhe plagosin 100 brenda një dite

Rripi i Gazës ka përjetuar një nga ditët e tij më të përgjakshme, pasi sulmet e pamëshirshme izraelite në të gjithë territorin e rrethuar kanë lënë të paktën 70 njerëz të vdekur dhe afro 100 të plagosur.

Në Gazën qendrore, izraelitët sulmuan disa shtëpi në kampin Nuseirat duke vrarë 30 civilë dhe duke plagosur mbi 50 të tjerë. Një sulm tjetër synoi një shtëpi në perëndim të kampit duke vrarë dhjetëra të tjerë. Në veri, dy palestinezë u vranë dhe disa u plagosën në një sulm ajror në një shtëpi në zonën Jabalia al-Nazla. Në qytetin e Gazës, dronët izraelitë sulmuan një ndërtesë duke plagosur shumë njerëz. Më herët, një mjek palestinez u qëllua për vdekje në kokë nga një dron izraelit teksa po shkonte për në spitalin Al-Awda në kampin Jabalia. Ndërkohë, një zyrtar palestinez shëndetësor raportoi se sulmet izraelite në sektorin mjekësor të Gazës kanë vrarë mbi një mijë punonjës të kujdesit shëndetësor dhe kanë plagosur 4000 të tjerë që nga tetori i vitit të kaluar.

Sipas një monitoruesi të të drejtave të njeriut me bazë në Evropë, Izraeli synon qëllimisht personelin mjekësor në veri të Gazës për të çmontuar sistemin shëndetësor dhe për të përkeqësuar kushtet e jetesës për palestinezët. Kjo valë e fundit e dhunës erdhi vetëm disa orë pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë të mërkurën që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm në Gaza për t'i dhënë fund luftës së gjenocidit të Izraelit në Rripin e Gazës që filloi që nga tetori i vitit 2023. Megjithatë, kjo rezolutë jodetyruese u hodh poshtë nga Shtetet e Bashkuara, të cilat janë aleati kryesor ushtarak i Izraelit, megjithëse gjithsej 158 vende votuan pro rezolutës. Uashingtoni ka përdorur të drejtën e vetos për të bllokuar rezoluta të ngjashme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pothuajse në çdo rast.

Që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, aktet e vazhdueshme të agresionit nga forcat izraelite kanë vrarë rreth 44,840 individë dhe kanë plagosur 106,356 të tjerë në të gjithë Rripin e Gazës.