Amerika: Sulmet kundër Ansarullahut të Jemenit do të vazhdojnë
Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit aktual demokrat amerikan Joe Biden, duke përsëritur pretendimet e Uashingtonit kundër Ansarullahut të Jemenit, këtë grup e quajti një kërcënim për Izraelin dhe transportin në Detin e Kuq dhe tha se "ne do të vazhdojmë sulmet kundër Ansarullahut".
John Kirby, zëdhënës dhe koordinator i komunikimeve strategjike të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, të premten, në një bisedë me gazetarët tha: "Sulmet amerikane kundër Houthëve të Jemenit do të vazhdojnë për aq kohë sa ky grup do të vazhdojë të ketë aftësinë për të kërcënuar linjat e anijeve dhe Izraelin.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha: "Ne besojmë se sulmet e Houthëve kundër forcave tona do të vazhdojnë. Houthët janë ende një kërcënim për popullin e Izraelit dhe kryejnë operacione kundër Izraelit."
Kirby pretendoi: "Ne kemi mundur të dobësojmë aftësitë e Houthëve për të kërcënuar anijet ndërkombëtare të mallrave."
Në të njëjtën kohë, ai shtoi: "U bëjmë thirrje izraelitëve që operacionet e tyre në Jemen t'i kryejnë në mënyrë të atillë që dëmet në infrastrukturën civile të jenë sa më të kufizuara."
Në mbështetje të rezistencës së popullit palestinez në Rripin e Gazës, ushtria jemenase ka sulmuar në Detin e Kuq dhe ngushticën Bab al-Mandab disa anije izraelite apo edhe anije të destinuara për në Territoret e Pushtuara.
Ushtria jemenase thotë se forcat ushtarake të këtij vendi janë angazhuar të sulmojnë anijet e këtij regjimi, por edhe anijet e destinuara për në Territoret e Pushtuara në Detin e Kuq, për aq kohë sa regjimi izraelit do të vazhdojë sulmet e tij në Gaza.