Kabineti qeveritar Netanyahu miraton marrëveshjen për armëpushimin në Gaza
Kabineti i regjimit sionist miratoi marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve me Rezistencën palestineze.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, kjo marrëveshje u miratua në mbledhjen e kabinetit qeveritar pas më shumë se 5 orësh diskutimi e shqyrtimi me 24 vota pro dhe 8 vota kundër.
Në deklaratën e kabinetit qeveritar të regjimit sionist thuhet: “Kabineti qeveritar izraelit miratoi marrëveshjen për kthimin e të burgosurve”.
Zyra e kryeministrit të regjimit sionist Benjamin Netanyahu ka njoftuar se marrëveshja e armëpushimit dhe e shkëmbimit të të burgosurve do të hyjë në fuqi ditën e dielë.
Sipas kësaj marrëveshjeje, e cila u kundërshtua nga ekstremistët e kabinetit, do të vendoset një armëpushim gjashtëjavor, ku në fillim do të bëhet shkëmbimi i të burgosurve dhe kjo do t'i hapë rrugën përfundimit të luftës pesëmbëdhjetëmujore në Gaza.
Ndërkohë që disa nga ministrat e kabinetit të regjimit sionist, duke përfshirë ministrin e Sigurisë së Brendshme Itamar Ben-Gvir, e kanë kundërshtuar fuqimisht marrëveshjen me Hamasin, madje edhe kanë kërcënuar se do të japin dorëheqjen, ministri i jashtëm i këtij regjimi, Gideon Sa'ar, ka pranuar se izraelitët nuk i kanë arritur qëllimet e luftës dhe për rrjedhojë janë detyruar të tërhiqen e të bien dakord.
Sipas kushteve të marrëveshjes midis Izraelit dhe Hamasit, tre pengje izraelitë janë planifikuar të lirohen të dielën.
Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e 33 pengjeve izraelite, duke përfshirë gra dhe fëmijë, dhe më pas burrat mbi 50 vjeç. Për çdo peng civil, do të lirohen 30 të burgosur palestinezë që ndodhen në burgjet izraelite.
Izraeli gjithashtu do të lirojë 50 të burgosur palestinezë në këmbim të lirimit të secilës grua ushtare izraelite.
Regjimi sionist do të lirojë të gjitha gratë dhe fëmijët palestinezë nën moshën 19 vjeç, të cilët janë arrestuar që nga 7 tetori 2023.
Gjithashtu, regjimi sionist do të tërheqë të gjitha forcat e veta nga zonat e banuara të Gazës dhe do të lejojë 600 kamionë me ndihma humanitare të hyjnë në Rripin e Gazës.
Negociatat për fazën e dytë - e cila duhet të përfshijë lirimin e pengjeve të mbetura, tërheqjen e plotë të forcave izraelite dhe një "paqe të qëndrueshme" - do të fillojnë në ditën e 16-të të armëpushimit.
Faza e tretë dhe e fundit do të përfshijë rindërtimin e Gazës, një proces që do të zgjasë me vite, si dhe kthimin e çdo mbetjeje trupore të pengjeve që kanë vdekur.