Mijëra të shpërngulur palestinezë kthehen në Rafah pas 470 ditësh lufte
Pas 15 muajsh lufte në Rripin e Gazës, regjimi sionist dheLëvizja Hamas arritën një marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve. Kjo marrëveshje u arrit pas disa negociatave të zhvilluara në Doha.
Sipas rrjetit televiziv Al-Alam, njëkohësisht me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite, mijëra palestinezë u kthyen në shtëpitë e tyre. Kjo ndodh ndërkohë që nga pjesa më e madhe e zonave të Rripit të Gazës nuk ka mbetur tjetër vetëm se rrënojat.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, banorët e zhvendosur nga veriu i Gazës do të lejohen të kthehen në ditën e shtatë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të dielën; banorët e tjerë të zhvendosur të Gazës do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre sapo të zbatohet armëpushimi.
Gjatë operacionit ushtarak tetëmujor të regjimit sionist në Rafah, që ndodhet në jug të Rripit të Gazës, ky qytet ishte skena e shkatërrimit më të gjerë në historinë e tij bashkëkohore.
Ushtria e regjimit sionist shkatërroi lagjet e qytetit duke përdorur dhjetëra buldozerë ushtarakë dhe kompani të specializuara shkatërrimi. Sipas burimeve lokale, më shumë se 70 për qind e sipërfaqes së Rafahut është shkatërruar.
Farhan Haq, zv/zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, gjithashtu njoftoi të dielën: “Shumica e territoreve të Rripit të Gazës dhe objekteve të infrastrukturës së tij janë shkatërruar dhe Gaza ka nevojë për miliarda dollarë për rindërtim dhe çminim.”
Lajm tjetër është se kamionët e parë që transportonin ndihma humanitare, përfshirë karburant dhe ushqim, pas vendosjes së armëpushimit, hynë në Rripin e Gazës pasditen e djeshme përmes tre kalimeve në veri dhe në jug.
Programi Botëror i Ushqimit njoftoi se 2000 kamionë që transportonin ndihma humanitare të lidhura me këtë organizatë po hyjnë në këtë zonë përmes vendkalimit Zakim në veri të Rripit të Gazës dhe vendkalimit Karm Abu Salem në jug.