Trupat izraelite kryejnë ekzekutime në terren, dëbojnë palestinezët nga Xhenini
"Në ditën e tretë të sulmit të madh të Izraelit në kampin e refugjatëve në qytetin e pushtuar të Bregut Perëndimor, Xhenin, palestinezët u nënshtrohen shpërnguljeve të detyruara, arrestimeve masive dhe ekzekutimeve në terren," raporton agjencia palestineze e lajmeve Wafa.
"Forcat izraelite kanë vendosur një rrethim të plotë në kamp, duke vendosur njësi speciale, dronë dhe sisteme biometrike dhe të njohjes së fytyrës për të monitoruar dhe kontrolluar zonën," tha të enjten agjencia palestineze e lajmeve Wafa.
Pushtuesit kanë shtuar arrestimin e tyre masiv, bastisjen dhe marrjen në pyetje të banorëve, duke i dëbuar ata me forcë nga shtëpitë e tyre, pasi i kanë urdhëruar nëpërmjet altoparlantëve dhe fletëpalosjeve të hedhura nga ajri që të dalin.
Grupi i avokacisë i Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë tha se forcat izraelite kanë kryer ekzekutime në terren, si një formë e "ndëshkimit kolektiv" për të minuar çdo formë rezistence.
Burimet mjekësore thonë se forcat izraelite kanë vrarë të paktën 13 palestinezë dhe kanë plagosur 50 të tjerë që prej fillimit të sulmeve izraelite mëngjesin e së martës. Mjekët që përpiqen të trajtojnë të plagosurit vazhdojnë të përballen me kufizime ekstreme nga forcat izraelite.
Lëvizja e autoambulancave kontrollohet imtësisht nga forcat izraelite dhe personeli mjekësor po kontrollohet dhe merret në pyetje përpara se të lejohet të ofrojë ndihmë mjekësore.
Kanali televiziv Palestine TV raportoi se mbulimi i lajmeve të bastisjeve është penguar rëndë. Ushtarët izraelitë e detyruan stafin e tij të mbyllte transmetimet e drejtpërdrejta, konfiskuan kamerat dhe telefonat dhe kërcënuan se do të sulmonin ndërtesën ku ndodhet zyra e kanalit televiziv.
Ushtarët i ndoqën korrespondentët edhe pasi u përpoqën të tërhiqeshin, duke e bërë të qartë se raportimi i tyre ishte i padëshiruar.
“Ne presim që zyra jonë të sulmohet në çdo moment”, ka deklaruar korrespondentja Amina Bilalo.
Të martën, ushtria izraelite bombardoi dhe sulmoi Xheninin, ndërsa nisi një sulm të madh në qytetin verior të Bregut Perëndimor të pushtuar, disa ditë pas arritjes së një armëpushimi në Gaza.
Bombardimi shoqëroi një sulm tokësor në shkallë të gjerë nga forcat izraelite, i cili pritet të vazhdojë hë për hë.
Pushtimi ka shkaktuar frikë dhe vështirësi të përhapur, me infrastrukturën lokale të dëmtuar rëndë dhe qasjen mjekësore të kufizuar.
Salah, një banor i kampit të Xheninit, përshkroi se si përdoret teknologjia e njohjes biometrike për të synuar të rinjtë për marrjen në pyetje dhe arrestimin e tyre të mëtejshëm, shpesh pa patur dyshime të qarta.
"Ata për të cilët kanë të dhëna, arrestohen. Ju nuk e dini se çfarë ndodh me ta pasi i kapin - nëse janë rrahur apo më keq. Nuk e keni idenë," citohet të ketë thënë Salah.
Vëzhguesit pohojnë se ekipi i ri i Trumpit është në pajtim me sulmin e Izraelit për të çmontuar kampet e refugjatëve në përgatitje për një aneksim. Kjo është një recetë për katastrofë dhe për shumë më tepër konflikte që do të vijnë.