Al-Xholani u bë zyrtarisht presidenti i përkohshëm i Sirisë
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i167344-al_xholani_u_bë_zyrtarisht_presidenti_i_përkohshëm_i_sirisë
Ahmad al-Shara', i njohur me nofkën "Muhammad al-Xholani" dhe komandant i "Hayat Tahrir al-Sham", u bë kreu i qeverisë tranzitore siriane.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Janar 30, 2025 08:26 Europe/Tirane
  • Al-Xholani u bë zyrtarisht presidenti i përkohshëm i Sirisë

Ahmad al-Shara', i njohur me nofkën "Muhammad al-Xholani" dhe komandant i "Hayat Tahrir al-Sham", u bë kreu i qeverisë tranzitore siriane.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Hasan Abdul-Ghani, zëdhënës i Drejtorisë së Operacioneve Ushtarake Siriane, njoftoi në një deklaratë të mërkurën mbrëma: "Ne prezantojmë Ahmed al-Shara' si kreun e shtetit në fazën e tranzicionit dhe ai e përfaqëson vendin në arenën ndërkombëtare."

Ai shtoi: “Presidenti është përgjegjës për formimin e një asambleje të përkohshme legjislative për fazën tranzitore, dhe kjo asamble do të përmbushë detyrat e saj deri në hartimin dhe zbatimin e Kushtetutës së re”.

Në deklaratë thuhet: "Kushtetuta e vitit 2012 shpallet e pavlefshme dhe pezullohet zbatimi i ligjeve të saj."

Deklarata shton: "8 Dhjetori është caktuar si Dita e Fitores së Revolucionit Sirian. Ushtria e regjimit të kaluar shpërbëhet dhe ngrihet ushtria e re e Sirisë."

Sipas kësaj deklarate: "Shkrihen të gjitha institucionet e sigurisë së ish-regjimit, së bashku me të gjitha degët, njësitë dhe forcat vartëse të tyre dhe do të krijohet një institucion i ri sigurie për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve."

Po sipas kësaj deklarate, "të gjitha grupet e armatosura, politike dhe civile shpërbëhen dhe do të përfshihen në institucionet kombëtare të vendit".

Mediat lokale siriane raportojnë për mbajtjen e një takimi në Damask ku morën pjesë krerët e grupeve të armatosura siriane për të përcaktuar presidentin e vendit në periudhën e tranzicionit.

Këto media njoftuan se 18 grupe të armatosura të pranishme në këtë takim kanë rënë dakord për shpërbërjen e vet.