Ahmed Al-Sharaa: Plani i Trumpit për Gazën është një krim
Presidenti i ri i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha se plani i presidentit amerikan Donald Trump për të dëbuar palestinezët nga Gaza dhe për të aneksuar territorin është "një krim serioz, që përfundimisht do të dështojë”.
Sipas rrjetit të lajmeve Euronews, presidenti Trump kishte njoftuar se Amerika do të marrë kontrollin e Gazës, e cila është shkatërruar nga lufta, dhe se do ta zhvillojë ekonomikisht këtë rajon pas zhvendosjes së palestinezëve diku tjetër. Ai tha gjithashtu se, sipas këtij plani, palestinezët nuk do të kenë të drejtë të kthehen në Gaza.
Ahmed al-Sharaa, i cili mori pushtetin në Siri pas rënies së qeverisë së Bashar al-Asadit, në një intervistë me një podcast britanik, tha se propozimi i Trumpit do të dështojë.
“Asnjë pushtet nuk mund t'i dëbojë njerëzit nga atdheu i tyre. Shumë u përpoqën, por të gjithë dështuan, veçanërisht në luftën e fundit të Gazës, e cila zgjati një vit e gjysmë. Dëshira e Trump për të dëbuar palestinezët nga toka e tyre nuk është as e mençur, as moralisht apo politikisht e pranueshme”, u shpreh ai për podcast-in në fjalë.
Në fjalimin e tij javën e kaluar, presidenti amerikan foli për nevojën e shpërnguljes së detyruar të palestinezëve që jetojnë në Gaza drejt vendeve arabe si Egjipti dhe Jordania.
Trump pretendoi se zhvendosja e palestinezëve nga Gaza është në kuadër të rindërtimit të këtij territori dhe të presionit për të ndihmuar popullin e tij.