Regjimi sionist krijon zyrë speciale për dëbimin e palestinezëve
Gazeta hebraike Yedioth Ahronoth të hënën në mbrëmje raportoi se ministri izraelit i luftës, Israel Katz, njoftoi vendimin për krijimin e një zyre të posaçme për "largimin vullnetar të banorëve të Rripit të Gazës".
Katz deklaroi se do të krijohet një agjenci speciale për të koordinuar "daljen vullnetare" të banorëve të Gazës. Krijimi i këtij departamenti tregon angazhimin e Izraelit ndaj propozimit të SHBA për të kontrolluar Rripin e Gazës dhe për të zhvendosur popullsinë e tij. Në një deklaratë të Ministrisë së Luftës së Izraelit, u theksua se ministri Katz mbajti një takim në lidhje me largimin vullnetar të banorëve të Gazës. Në përfundim të takimit, ai vendosi të krijojë një zyrë të posaçme në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes për të koordinuar këtë proces. Katz, në fillim të këtij muaji, urdhëroi ushtrinë izraelite të përgatiste një plan për të lejuar emigrimin vullnetar të banorëve të Gazës. Ai gjithashtu përshëndeti planin e presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se ai "mund të ofrojë mundësi të mëdha për banorët e Gazës" që dëshirojnë të largohen dhe të integrohen në vende të tjera. Sipas deklaratës, plani fillestar i paraqitur në takimin e së hënës "përfshin ndihmë të madhe për banorët e Gazës që dëshirojnë të migrojnë vullnetarisht në një vend të tretë". Kjo përfshin një paketë gjithëpërfshirëse që u lejon atyre të përfitojnë nga marrëveshje të veçanta për largim nëpërmjet detit, ajrit dhe tokës. Sipas Yedioth Ahronoth, departamenti që do të krijohet do të përfshijë përfaqësues nga ministritë dhe organet e tjera të institucioneve të sigurisë izraelite. Ky vendim është pjesë e një strategjie më të gjerë që synon të dëbojë banorët Gazës dhe t’i detyrojë ata të emigrojnë.