Abdullah Saleh: Përkrahja e Iranit ndaj Jemenit është vetëm informative
Ali Abdullah Saleh, ish-presidenti i Jemenit, deklaroi se Irani përkrah Jemenin vetëm në aspektin informativ.
Agjencia e lajmeve Sputnik njoftoi se Ali Abdullah Saleh, ish-presidenti i Jemenit, të shtunën në fjalën e tij në takimin e partisë "Kongresi Kombëtar" të Jemenit, deklaroi: "Përkundër propagandës së disa palëve të përfshira në luftë me popullin e Jemenit, përkrahja e Iranit ndaj Jemenit është vetëm në fushën informative. Ali Abdullah Saleh gjithashtu foli edhe për marrëveshjen e Sanas të nënshkruar mes partisë Kongresi Kombëtar dhe lëvizjes Ansarullah për formimin e këshillit politik për administrimin e çështjeve të këtij vendi. Ai tha se kjo marrëveshje nuk anulon negociatat për paqe në Jemen të cilat po zhvillohen në Kuvajt. Ish-presidenti i Jemenit shtoi se në këtë këshill politik do të marrin pjesë përfaqësuesit e Jemenit që janë brenda dhe jashtë vendit dhe kjo marrëveshje do t'i forcojë negociatat në Kuvajt. Ali Abdullah Saleh edhe njëherë kërkoi zhvillimin e negociatave të drejtpërdrejta dhe të barabarta mes Jemenit dhe Arabisë Saudite dhe deklaroi: "Nëse Arabia Saudite do të ndalë luftën dhe bombardimin e qyteteve dhe do të heqë bllokadën kundër Jemenit, ne jemi të gatshëm për negociata me këtë vend". Ali Abdullah Saleh duke iu drejtuar Arabisë Saudite shtoi: "Ndarja territoriale e Jemenit është e rrezikshme edhe për ju, ndarja territoriale e vendit tonë do të thotë ndarja e Arabisë Saudite në tre rajone".