90 ushtarë sirianë të vrarë nga sulmet amerikane?
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, duke cituar një burim brenda ushtrisë në aeroportin Deirul Zur ka thënë se të paktën 90 ushtarë sirianë janë vrarë në sulmet ajrore të SHBA.
Më parë Rusia kishte deklaruar se avionët ushtarakë amerikanë kanë vrarë 62 ushtarë sirianë dhe kanë plagosur mbi 100 të tjerë në katër sulme ajrore të kryera gjatë natës së kaluar. Duket se Amerika ka nivel të mirë bashkëpunimi dhe koordinimi me terroristët e ISIS, sepse pas këtij bombardimi amerikan, terroristët e ISIS kanë sulmuar dhe pushtuar këtë rajon. Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë siriane e dënoi këtë agresion të shëmtuar dhe shtoi se ekzistojnë prova të qarta mbi përkrahjen e Amerikës për grupet terroriste si ISIS dhe Al Nusra. Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të pranoi se avionët e tij kryen një sulm në lindje të Sirisë. Amerika tha se avionët e saj ndalën menjëherë sulmin në zonën Deirul Zur , kur morën vesh se në terren kishte ushtarë sirianë. Ministria e Jashtme ruse thotë se incidenti ka ndodhur si rezultat i kundërshtimit të Uashingtonit që të bashkëpunojë me Moskën për të luftuar militantët e ISIS, Frontin Al Nusra dhe grupe të tjera terroriste.