Vladimir Putin dhe Bashar Asad bisedojnë rreth zhvillimeve në Siri
Presidenti i Rusisë dhe presidenti i Sirisë në bisedë telefonike kanë diskuar zhvillimet më të fundit në lidhje me luftën kundër terrorizmit.
Kanali televiziv Al Alam njoftoi se gjatë kësaj bisede telefonike janë diskutuar zhvillimet më të fundit në luftën kundër terrorizmit në Siri dhe përpjekjet për zgjidhjen e krizës në këtë vend. Putin me këtë rast theksoi se qëndrimi i Rusisë në lidhje me çështjen e Sirisë është i pandryshueshëm dhe veprimet e Moskës do të vazhdojnë në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe për ta mbrojtur tërësinë territoriale të Sirisë. Nga ana e tij, Bashar Asad, presidenti i Sirisë, gjatë kësaj bisede ka vlerësuar përpjekjet e Moskës në arenën ndërkombëtare, pavarësisht pengesave të krijuara dhe presioneve të disa vendeve që po bëhen kundër Rusisë për shkak të mbështetjes së Moskës ndaj Sirisë. Asad gjithashtu theksoi vendosmërinë e qeverisë siriane në luftën kundër terrorizmit dhe shtoi se kjo luftë zhvillohet njëkohësisht me përpjekjet për arritjen e një marrëveshje për armëpushim dhe për aktivizimin e procesit politik për zgjidhjen e krizës në këtë vend. Vlen të theksohet se kjo bisedë telefonike është zhvilluar në kohën kur funksionarët e lartë të Amerikës dhe të Rusisë të mërkurën në një takim të zhvilluar në selinë e OKB në Gjenevë të Zvicrës, kanë biseduar në lidhje me dallimin dhe ndarjen e grupeve terroriste të lidhura me Al Kaidan nga grupet e tjera opozitare të qeverisë së Damaskut.