Bagdadi pret mbi 3 mijë të shpërngulur nga Mosuli
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i32815-bagdadi_pret_mbi_3_mijë_të_shpërngulur_nga_mosuli
Ministri irakian për çështjet e emigracionit deklaroi se mbi 3300 persona janë shpërngulur nga Mosuli dhe janë drejtuar për në Bagdad.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 26, 2016 16:22 Europe/Tirane
  • Bagdadi pret mbi 3 mijë të shpërngulur nga Mosuli

Ministri irakian për çështjet e emigracionit deklaroi se mbi 3300 persona janë shpërngulur nga Mosuli dhe janë drejtuar për në Bagdad.

Xhasem Muhamed Al Xhaf tha se pas fillimit të operacionit për çlirimin e Mosulit, një numër i madh i banorëve të këtij qyteti janë larguar në drejtim të Bagdadit. Ai shtoi se autoritetet irakiane kanë marrë masat e nevojshme për pritjen e civilëve të shpërngulur nga Mosuli. Në një kohë kur forcat irakiane janë duke zhvilluar një operacion madhor për çlirimin e qytetit të Mosulit nga terroristët e ISIS, Agjencia e Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së, ka raportuar se të gjendur në vështirësi, ekstremistët e ISIS po kryejnë masakra ndaj civilëve për t’i bërë presion ushtrisë së Irakut. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dhënë disa raste, ku dëshmitarët thonë se terroristët kanë sulmuar qytetarët duke i përdorur ata si pengje. Në një prej rasteve, OKB bën me dije se tre gra dhe tre fëmijë ishin qëlluar për vdekje, pasi refuzuan që të largoheshin nga një fshat në një tjetër pasi ekstremistët i urdhëruan të vepronin në këtë mënyrë. Ndërkohë, në një tjetër rajon të Mosulit, 15 persona u ekzekutuan dhe u hodhën në një lumë për të përhapur terror në radhët e banorëve të zonës. Megjithatë, zyrtarët e organizatës nënvizoj se ngjarje të tilla mund të jenë të shumta, ndërkohë që bëjnë thirrje për kujdes maksimal në këtë operacion mjaft delikat. Rreziku i prekjes së civilëve nga luftimet mes palëve ishte paralajmëruar edhe më herët, ndaj ekspertët gjykojnë se ekstremistët e ISIS do të vijojnë të tregohen gjithnjë e më agresivë me qytetarët me avancimin e forcave qeveritare. Popullsia e Mosulit është afro 1.5 milionë banorë, ndërkohë që në këtë territor dyshohet se ka nga 3.000 deri në 5.000 pjesëtarë të ISIS.