Fëmijët jemenas vdesin nga mungesa e ndihmës mjekësore
UNICEF-i ka deklaruar se gjatë një viti e gjysmë të kaluar mbi 10 mijë fëmijë jemenas kanë vdekur për shkak të mungesës së ndihmave mjekësore.
Burimet informative njoftuan se UNICEF-i të shtunën në një raport të tij ka deklaruar se janë shënuar rreth 10 mijë raste të vdekjes së fëmijëve jemenas nën moshën 5 vjeçare për shkak të mungesës së qasjes në përkujdesje mjekësore dhe shëndetësore. Kristof Buljark, zëdhënësi i UNICEF, deklaroi se rreth 7.5 milionë fëmijë jemenas kanë nevojë për ndihma mjekësore dhe 370 mijë fëmijë jemenas po vuajnë nga kequshqimi. Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se numri i personave të cilët dyshohen se janë infektuar me sëmundjen e kolerës në 3 javët e kaluar ka shkuar në 1410 persona. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shtuar se sëmundja e kolerës ishte e përhapur vetëm në provincën Sana, mirëpo aktualisht është përhapur në të paktën 10 provinca të Jemenit si në Taiz dhe Aden. Ndërkohë burimet informative nga jemeni kanë njoftuar se avionët luftarakë të koalicionit saudit përsëri kanë sulmuar vendbanimet civile në Jemen në provincat Sa'de dhe Meareb ku si pasojë janë vrarë të paktën 10 civilë jemenas.