Hapet baza ushtarake detare e Anglisë në Bahrejn
Charls, princi i Anglisë ka marrë pjesë në hapjen e bazës më të madhe detare ushtarake të Anglisë në Bahrejn. Hapja e kësaj baze u bë më 10 nëntor njëkohësisht me përvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes Anglisë dhe Bahrejnit. Hapja e bazës ushtarake të Anglisë në Bahrejn duhet analizuar në bazë të interesave të Anglisë dhe këtij vendi.
Sa i përket interesit të Anglisë duhet thënë se megjithëse roli dhe ndikimi i Anglisë në rajonin e Lindjes së Mesme është ulur, mirëpo Anglia përpara vitit 1970, ka qenë një prej faktorëve më të rëndësishëm në rajon. Britania ka luajtur rolin më të madh në ndërtimin e strukturës aktuale të Lindjes së Mesme. Shfaqja e shumicës së vendeve arabe është rezultat i përpjekjeve dhe rolit të Anglisë në Lindjen e Mesme. Një prej këtyre vendeve të krijuara prej Anglisë është edhe Bahrejni. Anglia është larguar prej rajonit të Lindjes së Mesme që nga viti 1970. Mirëpo ajo për të ruajtur fuqinë dhe ndikimin e saj mbi rajonin, ka krijuar lidhje të atilla që krerët arabë të kenë nevojë për mbështetjen e Anglisë. Bahrejni është ndër ato vende, ndikimi tek i cili për qeverinë angleze ka rëndësi tepër të madhe. Në Bahrejn, pushteti i regjimit Al Khalifa është një pushtet i krijuar si rezultat i politikave të Anglisë. Anglia është një prej vendeve kryesore dhe të para në shitjen e armatimeve për Bahrejnin. 5 vjet më parë në kohën kur protestat në Bahrejn kishin arritur kulmin, Anglia i ka shitur regjimit të këtij vendi armatime me vlerë 55 milion dollarë. Tani Anglia synon që bazën e saj ushtarake detare në Bahrejn ta kthejë në bazën më të madhe të saj pas bazës Portsmuth në jug të Anglisë. Kjo bazë që do të ketë një personel prej 600 forcash ushtarake, do të ketë për detyrë të mbështesë anijet luftarake që kryejnë misione në ujërat e rajonit. Baza ushtarake detare e Anglisë në Bahrejn konsiderohet baza e parë ushtarake e këtij vendi në 40 vitet e kaluara. Sa i përket interesave të Bahrejnit, duhet thënë se Al Khalifa për pushtetin e tij në Bahrejn i detyrohet mbështetjeve të Anglisë në dekadat e kaluara. Rrënjët e politikave aktuale të qeverisë Al Khalifa, si ndryshimi i demografisë së vendit, janë të njëjta me politikat e Anglisë. Qeveria angleze në dekadat e parë të shekullit të 20-të për të ndryshuar numrin e madh të shiitëve në krahasim me sunitët në Bahrejn, ndërmori politikën e ndryshimit të demografisë. Sot e njëjta politikë po ndiqet nga regjimi Al Khalifa i mbështetur nga Anglia. Aktualisht Bahrejni ka pranuar dislokimin e bazës më të madhe ushtarake të Anglisë në një kohë kur më herët ka pranuar vendosjen dhe ndërtimin e bazës më të madhe të Amerikës në rajon. Ngritja e bazës së re ushtarake të Anglisë në Bahrejn, tregon për faktin se regjimi Al Khalifa për të garantuar jetëgjatësinë e pushtetit të tij në Bahrejn, nuk e sheh të mjaftueshme praninë e Amerikë dhe për këtë kërkon më shumë mbështetje nga jashtë siç është Anglia.