Shpërthime në Bagdad, gjendje e rëndë e civilëve në Mosul
Zëdhënësi i zonës operative të Bagdadit bëri të ditur se disa shpërthime terroriste kanë ndodhur sot në kryeqytetin irakian duke vrarë dy civilë dhe duke plagosur 7 të tjerë.
Saad Man tha se përgjegjësinë për sulmet terroriste në Bagdad e ka marrë grupi terrorist ISIS. Nga ana tjetër grupi terrorist ISIS ka ndërprerë qëllimisht furnizimin me ujë në lagjet pranë frontit të luftës sipas supervizorit të shërbimeve energjetike dhe të ujit në Mosul. “Ata po i privojnë njerëzit nga uji i pijshëm dhe elektriciteti dhe duan t’i tërheqin ata pas vetes për t’i përdorur si mburoja njerëzore”, ishin fjalët e tij. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se nuk mund të verifikojë pretendimet, por thotë se kjo lloj praktike ishte parë edhe në qytete të tjera të pushtuara nga ISIS. Ushtria irakiane dhe forcat popullore të Irakut nisën në shtator ofensivën për çlirimin e Mosulit, prej dy vitesh nën kontrollin e grupit terrorist takfirist ISIS.