Putin merr pjesë në takimin ku shqyrtohet situata në Palmira
Zëdhënësi i presidentit rus deklaroi se Vladimir Putin, president i Rusisë, mori pjesë në takimin e Këshillit të lartë të sigurisë së federatës ruse ku u diskutua situata në Siri e në veçanti në Palmira.
Dimitri Peskov zëdhënës i Kremlinit tha se në takimin e këshillit të lartë të sigurisë së federatës ruse, u shkëmbyen pikëpamje edhe mbi përgatitjet e vizitës së presidentit Putin në Japoni. Ndërkohë ministria e mbrojtjes e Rusisë, bëri të ditur se avionët luftarakë rusë kanë kryer 64 sulme ajrore ndaj bastioneve të terroristëve të ISIS në periferi të qytetit Palmira, duke vrarë mbi 300 terroristë dhe duke zmbrapsur përpjekjet e terroristëve për tu fshehur në rrënojat e këtij qyteti antik. Mbi 4000 terroristë të armatosur të grupit takfirist ISIS kanë sulmuar qytetin antik të Sirisë Palmira dhe kanë bërë përpjekje për ta marrë përsëri nën kontroll këtë qytet. Pavarësisht humbjeve të mëdha që kanë pësuar terroristët e grupit ISIS në qytetin Tedmur (Palmira), ata përsëri po vazhdojnë përpjekjet për të depërtuar në vendbanimet e këtij qyteti. Ushtria e Sirisë ka zhvilluar luftime të ashpra me terroristët e ISIS për ta mbrojtur këtë qytet. Sipas qendrës Hamimim, grupi terrorist ISIS gjatë javës së kaluar një sasi të madhe të pajisjeve luftarake nga rajone të ndryshme të provincave Raka dhe Dejru-Zur, e ka dërguar në zonat rreth qytetit Palmira dhe gjithashtu rreth 5000 terroristë ka thirrur nga Mosuli për të sulmuar qytetin antik Palmira.