Nis armëpushimi në Siri
Armëpushimi i arritur në Siri do të nisë të zbatohet prej sot.
Valid Mualem ministër i jashtëm i Sirisë tha se marrëveshja për armëpushim dëshmon bindjen e qeverisë siriane për arritjen e fitores në luftën kundër terrorizmit. Qeveria siriane dhe grupet e armatosura kanë arritur një marrëveshje armëpushimi, e cila hyri në fuqi nga ora 23 e natës së të enjtes, sipas asaj që ka njoftuar vet presidenti rus, Vladimir Putin, e që do t’i hapë rrugë edhe nisjes së bisedimeve për paqe. Së fundi Putin ka njoftuar edhe nënshkrimin e 3 dokumenteve, së pari marrëveshjes mes qeverisë siriane dhe opozitës së armatosur për armëpushim, masave për mbikëqyrjen e armëpushimit dhe një marrëveshje për nisjen e bisedimeve të paqes. Presidenti rus e përshkroi marrëveshjen si tepër të brishtë, por lavdëroi arritjen e saj si rezultat i punës së madhe të bërë nga ministrat rusë të Jashtëm dhe të Mbrojtjes me partnerët e Moskës në rajon. Ai shtoi gjithashtu se, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, kishte rënë dakord për reduktimin e pranisë ushtarake të Rusisë në Siri, por e bëri të qartë se Moska do të vazhdonte të luftonte ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe se do të mbështeste qeverinë e Sirisë.