Arabia dhe bombardimet pafund në Jemen, Bashkësia Ndërkombëtare hesht
Arabia Saudite pa u kushtuar aspak vëmendje paralajmërimeve ndërkombëtare, vazhdon të bombardojë rajone të ndryshme të Jemenit.
Shumë rajone të Jemenit sulmohen vazhdimisht nga avionët luftarakë të Arabisë Saudite. Në sulmet më të fundit të avionëve luftarakë dhe të anijeve luftarake në provincën Aden, të paktën 10 civilë janë vrarë dhe me dhjetar të tjerë janë plagosur. Një raketë e ushtarakëve sauditë ka rënë në rajonin Khuha në provincën Hadida ku ka mbetur i vrarë një civil jemenas. 6 civilë të tjerë janë vrarë nga një sulm i avionëve sauditë ndaj një tregu në provincën Saade në veri të Jemenit. Xhimi Mek Goldrik koordinator i qendrës së hulumtimeve ekonomike dhe humnitare të OKB në Jemen thotë se 80% e popullit jemenas ka nevojë emergjente për ndihma humanitare. Sipas kësaj qendre, shumica e popullit jemenas vuan nga mungesa e të ardhurave për shkak të krizës ekonomike dhe financiare me të cilën përballet Jemenit. Më herët Ahmed Gareshi, drejtor i institutit të pavarur për të drejtat e fëmijëve Siaxh, ka thënë se mbi 60 mijë familje jemenase kanë nevojë të theksuar për ndihma humanitare ndërkohë që 150 mijë fëmijë jemenas vuajnë nga mungesa e ushqimeve dhe nga kushtet e rënda të krijuara për shkak të sëmundjeve si kolera dhe malaria. Në raportet e OKB mbi 18 milion nga 27 milion banorë të Jemenit kanë nevojë emergjente për ndihma humanitare. Agresioni 20 mujor i Arabisë saudite në Jemen ka krijuar një gjendje katastrofike në këtë vend. Gjatë operacioneve të ushtrisë dhe të forcave të rezistencës popullore të Jemenit, janë vrarë me dhjetëra pjesëtarë të forcave mercenare të Arabisë Saudite. Kanali televiziv Al Masire njoftoi se ushtria dhe forcat e rezistencës popullore të Jemenit kanë asgjësuar një sulm të forcave mercenare të Arabisë Saudite në rajonin Kuvajhash në provincën Xhuf në veri të Jemenit. Ndërkohë edhe njësitet e artilerisë së ushtrisë së Jemenit kanë bombarduar qendrat e forcave ushtarake të Arabisë Saudite në provincat Taiz dhe Lahaxh të Jemenit ku si pasojë janë vrarë disa ushtarakë sauditë. Gjatë këtyre operacioneve janë shkatërruar edhe disa automjete të blinduara të forcave saudite. Arabia Saudite ka nisur agresionin kundër Jemenit që prej marsit 2015 me pretekstin e kthimit në pushtet të Abdarabuh Mansur Hadi, presidenti i dorëhequr i këtij vendi.