Ministri i jashtëm i Francës viziton Arabinë Saudite
Ministri i punëve të jashtme të Francës ka shkuar për një vizitë në Arabinë Saudite për të biseduar me funksionarët e lartë të Riadit.
Agjencia e lajmeve AFP njoftoi se Ministria e Punëve të Jashtme të Francës me anë të një deklarate ka bërë të ditur se Jean-Marc Ayrault, ministri i jashtëm i këtij vendi, gjatë kësaj vizite do të bisedojë me funksionarët saudit në lidhje me çështje të rëndësishme të Lindjes së Mesme, sidomos kriza në Jemen, Irak, Libi dhe Siri. Ministri i jashtëm francez do të takohet me homologun e tij saudit Adel Xhubejr dhe me Selman bin Abdulaziz, mbretin e Arabisë Saudite. Vlen të theksohet se Arabia Saudite po mundohet të krijojë koalicione më të gjera, përveç koalicionit që ka me aleatin e saj mbrojtës Amerikën. Përpjekjet e Arabisë Saudite në këtë fushë kanë filluar pasi që Riadi ka kritikuar ndryshimin e qëndrimeve të Barak Obamas, ish-presidentit të Amerikës në lidhje me zhvillimet në Lindjen e Mesme sidomos ndaj Iranit. Vizita e ministrit të jashtëm francez në Arabinë Saudite përkon me zhvillimin e negociatave për paqe në Siri në Astana të Kazakistanit të organizuara nga Irani, Rusia dhe Turqia. Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ka deklaruar se Jean-Marc Ayrault gjatë kësaj vizite përsëri do të theksojë bashkëpunimin strategjik mes Francës dhe Arabisë Saudite.