Përpjekje për tu solidarizuar me Afganistanin
Ministria e jashtme e Rusisë në prag të vizitës së ministrit të jashtëm të Afganistanit Selahudin Rabani në Moskë, ka nxjerrë një deklaratë ku shprehet e shqetësuar mbi depërtimin dhe zgjerimin e aktivitetit të grupit terrorist ISIS në Afganistan.
Në deklaratën e lëshuar nga ministria e jashtme e Rusisë thuhet se Moska monitoron vazhdimisht gjendjen e sigurisë në Afganistan dhe është e shqetësuar nga shtrirja e aktiviteteve të ISIS në këtë vend. Ministria e jashtme e Rusisë gjithashtu deklaroi se Moska mbështet dhe ndihmon Afganistanin me konsulta në procesin e paqes dhe shtoi se është e gatshme që këtij vendi t’i ofrojë ndihma teknike, ushtarake dhe të trajnimit të forcave afgane të sigurisë. Më herët qeveria e Kabulit është shprehur e indinjuar nga takimi trepalësh në Moskës mes Rusisë, Kinës dhe Pakistanit kushtuar procesit të paqes në Afganistan pa ftuar përfaqësues nga qeveria e Afganistanit. Pas reagimit të qeverisë së Kabulit, autoritetet e Kremlinit janë munduar të inkurajojnë palën afgane. Qeveria e Afganistanit, takimin trepalësh të Moskës kushtuar procesit të paqes në Afganistan pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kabulit e ka quajtur ndërhyrje të Moskës në punët e brendshme të Afganistanit. Qeveria e Afganistanit është e mendimit se paqja në Afganistan ka nevojë për mbështetje rajonale dhe ndërkombëtare mirëpo ndërhyrjet e vendeve të tjera të cilat dëmtojnë rolin dhe pozitën e qeverisë së Kabulit në procesin e bisedimeve të paqes, janë ndërhyrje të papranueshme për Kabulin. Pas reagimit të ashpër nga ana e qeverisë së Afganistanit dhe parlamentit të këtij vendi, Moska ka arritur në përfundimin se në rast se nuk përmirëson situatën e krijuar pas takimit trepalësh mes Rusisë, Kinës dhe Pakistanit rreth procesit të paqes në Afganistan, kjo situatë mund të bëhet shkak për tensionimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Afganistanit dhe uljen e bashkëpunimit dypalësh. Vitet e fundit Rusia ka përcaktuar një përfaqësues special për çështjet e Afganistanit me qëllim që me anë të fuqisë së butë dhe duke shtuar politikat mbështetëse, të mund të influencojë dhe depërtojë sa më shumë në Afganistan. Mirëpo me organizimin e takimit trepalësh në Moskë, Rusia me një dorë ka prishur çdo përpjekje të saj të mëparshme rreth Afganistanit. Me vizitën e ministrit të jashtëm të Afganistanit në Moskë, Rusia do të përpiqet që të përmirësojë gabimin e saj strategjik me organizimin e takimit trepalësh kushtuar Afganistanit dhe pa pjesëmarrjen e qeverisë së Kabulit. Më herët janë dhënë raporte mbi lidhjet e Rusisë me grupin Taleban dhe kjo temë ka ngjallur reagimin dhe protestën e qeverisë së Kabulit rreth politikave jo transparente të Moskës kundrejt Afganistanit. Moska i shqetësohet faktit se gabimet strategjike të saj siç ishte lidhja me grupin Taleban dhe organizimi i takimit trepalësh pa pjesëmarrjen e qeverisë afgane, do tu japë më shumë mundësi dhe favore rivalëve të saj në Afganistan.