Presidenti turk viziton Arabinë Saudite
Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë ditën e hënë shkoi për një vizitë në Arabinë Saudite.
Gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite, presidenti turk do të diskutojë mbi zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe do të analizojë situatën e zhvillimeve në rajon dhe sidomos krizën në Siri. Turqia dhe Arabia Saudite gjatë viteve të kaluara kanë bashkëpunuar shumë me njëri-tjetrin dhe që të dy këto vende kanë mbështetur kundërshtarët e qeverisë siriane në luftën e Sirisë. Pas ardhjes në pushtet të Selman Bin Abdul’aziz në vitin 2015 në Arabinë Saudite, marrëdhëniet mes Riadit dhe Ankarasë u përmirësuan. Më herët marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan për shkak të shkarkimit të Muhamed Morsit nga posti i presidentit në Egjipt. Erdogan vizitat e tij në vendet e rajonit të Gjirit Persik i nisi ditën e dielë. Ai në fillim u takua me mbretin e Bahrejnit me të cilin diskutoi për krijimin e një zone të sigurt në veri të Sirisë, me qëllim që kjo zonë të përdoret për strehimin e emigrantëve sirianë. Ditën e martë presidenti i Turqisë nga Riadi do të shkojë për në Katar. Katari ka lidhje të forta me Turqinë, pasi në këtë vend Ankaraja ka edhe një bazë ushtarake.