Një hap para çlirimit të perëndimit të Mosulit
Forcat irakian në vazhdim të operacioneve për çlirimin e pjesës perëndimore të Mosulit, kanë arritur të çlirojnë nga pushtimi i ISIS aeroportin e këtij qyteti.
Po ashtu bëhet e ditur se forcat irakiane thanë se kanë rimarrë 15 fshatra në perëndim të Mosulit, të cilat kanë qenë nën kontrollin e grupit terrorist ISIS. Ofensiva për të çliruar qytetin me rëndësi strategjike, mbështetet me sulme ajrore nga forcat ajrore irakiane. Faza e re e operacionit u shpall të dielën nga kryeministri i Irakut, Heidar Abadi. “Forcat tona kanë nisur çlirimin e qytetarëve nga terrori i Daesh-it”, tha Abadi, duke përdorur akronimin arab për Shtetin Islamik. Ai u bëri thirrje forcave ushtarake që të respektojnë të drejtat e njeriut. Pjesa lindore e qytetit është çliruar muajin e kaluar, pas luftimeve të rënda. Ushtarët irakianë avancuan sot drejt aeroportit të Mosulit, porse u përballen me rezistencë të militantëve. Korrespondentët thonë se terroristët po përdorin pajisje të mëdha shpërthyese për të ngadalësuar hovin e ushtrisë. Forcat qeveritare, megjithatë, kanë rimarrë një stacion të energjisë elektrike dhe kanë vrarë disa terroristë, përfshirë snajperistë. Ndërkaq, Në sulmet ajrore të avionëve amerikanë kundër rajonit Shefa në perëndim të Mosulit, qendër e provincës Ninva në Irak, të paktën 24 civilë irakianë kanë humbur jetën dhe 50 të tjerë janë plagosur. Grupi terrorist ISIS ka përdorur me qindra mijëra civilë si mburojë njerëzore me qëllim që të pengojë avancimin e forcave ushtarake të Irakut në zonat perëndimore të Mosulit. Një lajm tjetër nga Iraku njofton se nga shpërthimi i një bombe pranë pikës patrulluese të ushtrisë në perëndim të Ramadit, një ushtar irakian është vrarë dhe 4 të tjerë janë plagosur. Ndërkohë burimet irakiane të sigurimit sot njoftuan vrasjen e një prej krerëve të ISIS pas një sulmi të dronëve në zonat jugore të provincës Kirkuk. Për momentin terroristët e ISIS pas avancimit të forcave popullore po tërhiqen nga aeroporti i qytetit Mosul. Operacioni për çlirimin e zonave perëndimore të Mosulit ka nisur me urdhër të kryeministrit irakian Hejdar Ebadi.