Zhvillim i madh në Irak, ISIS largohet nga qyteti Mosul
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i46516-zhvillim_i_madh_në_irak_isis_largohet_nga_qyteti_mosul
Progreset dhe avancimet e ushtrisë irakiane në qytetin Mosul, e cila ka marrë nën kontroll shumë nga institucionet shtetërore të këtij qyteti, e ka detyruar grupin terrorist ISIS të nxjerrë urdhër për largimin e të gjithë terroristëve nga Mosuli dhe transferimin e tyre për në qytetin Raka të Sirisë.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Mars 08, 2017 08:11 Europe/Tirane
  • Zhvillim i madh në Irak, ISIS largohet nga qyteti Mosul

Progreset dhe avancimet e ushtrisë irakiane në qytetin Mosul, e cila ka marrë nën kontroll shumë nga institucionet shtetërore të këtij qyteti, e ka detyruar grupin terrorist ISIS të nxjerrë urdhër për largimin e të gjithë terroristëve nga Mosuli dhe transferimin e tyre për në qytetin Raka të Sirisë.

Forcat irakiane të sigurisë kanë deklaruar se kanë rimarrë nën kontroll zyrat kryesore qeveritare në Mosul, teksa ofensiva për të dëbuar nga territori terroristët e ISIS vazhdon. Avancimi i trupave zyrtare ka hapur rrugën për një sulm në qytetin e mbipopulluar, ku terroristët kanë nisur të largohen. Ndërkohë, mijëra civilë janë duke braktisur qytetin çdo ditë. Ata deklarojnë se beteja për rimarrjen e godinave qeveritare, e shoqëruar nga bombardime, ishte më e rënda që nga fillimi i operacionit më 19 shkurt. Mosuli është bastioni i fundit i ISIS në Irak. Zona lindore e qytetit u mor nën kontroll në janar.  Natën mes së hënës dhe së martës, trupat qeveritare ndërmorën një sulm surprizë, duke bastisur zyrat e qeverisë. Edhe pse godinat thuhet se janë shkatërruar, kjo mund të konsiderohet një fitore e madhe. Kryeministri irakian Hejdar Ebadi mbërriti në Mosul këtë të martë, për të takuar krerët ushtarakë. Trupat kanë marrë gjithashtu nën kontroll muzeun, degën e bankës qendrore, e cila ndodhet pranë selisë së gjykatës, e përdorur nga terroristët për të dhënë dënime mizore ndaj anëtarëve të pabindur të grupit terrorist dhe ndaj civilëve irakianë. Ashtu siç ka theksuar Abdulamir Muhamedavi, zëdhënës i forcave të ndërhyrjes së shpejtë të Irakut, rimarrja e ndërtesave dhe godinave shtetërore në qytetin Mosul nënkupton çlirimin e 80% të këtij qyteti. Një pikë e rëndësishme është se ISIS ka pranuar disfatën e tij në Mosul. Pas sukseseve të fundit të ushtrisë irakiane, ISIS u ka dhënë urdhër pjesëtarëve të tij që të largohen nga Mosuli dhe të transferohen në Raka. Ky urdhër tregon për lidhjen e zhvillimeve në Irak me ato në Siri. Në kohën e nisjes së operacionit për çlirimin e qytetit Mosul, përkrahësit perëndimorë, arabë dhe turq të terroristëve parashikonin se terroristët do të transferoheshin në Siri pas çlirimit të Mosulit, mirëpo nga ana tjetër sukseset e ushtrisë siriane u kanë dhënë goditje dhe shok të madh mbështetësve të terroristëve. Largimi i ISIS nga Mosuli për në Siri është një strategji edhe e mbështetësve të terroristëve. Ashtu siç ISIS lufton për vazhdimin e ekzistencës së tij edhe përkrahësit e këtij grupi terrorist mundohen të ruajnë fuqinë e tyre në krizën e Sirisë. Shkatërrimi i ISIS në Siri do të thotë shkatërrim i ëndrrës 6-vjecare për rrëzimin e shtetit sirian që sigurisht shenja të shkatërrimit të kësaj ëndrre janë vënë re në qëndrimet e dobëta të terroristëve dhe përkrahësve të tyre në takimet e Astanasë dhe të Gjenevës.