Egjipti do të blejë 330 raketa nga Gjermania
Mediat gjermane njoftuan se Këshilli Federal i Sigurisë së Gjermanisë ka dhënë autorizimin për shitjen e 330 raketave Sidewinder për forcat ajrore të Egjiptit.
E përditshmja gjermane Tages Zeitung, shkruan se shitja e këtyre raketave që ka shkaktuar kritika të shumta, duket se ka qenë “dhurata” e kancelares Angela Merkel për presidentin egjiptian Abdulfetah Al Sisi, me të cilin ajo u takua në Kajro në fillim të muajit Mars. Deri tani, qeveria gjermane nuk ka bërë të ditur vlerën e kësaj kontrate. Vitin e kaluar, Egjipti bleu armatime gjermane me vlerë 400 milionë Euro duke u bërë klienti i katërt më i madh i armëve gjermane. Jan von Aken, deputet i të majtëve në Bundestag, e ka kritikuar ashpër bashkëpunimin ushtarak mes Gjermanisë dhe Egjiptit dhe ka deklaruar: “ Ky është një show qesharak që Merkel shkon në Kajro dhe i premton Al Sisit një kredi prej 500 milionë Euro dhe në më pak se një muaj pas këtij takimi, regjimi puçist i Al Sisit ble qindra raketa gjermane”.