Forcat kurde dhe amerikane hyjnë në Raka
(last modified Sat, 25 Mar 2017 06:46:34 GMT )
Mars 25, 2017 07:46 Europe/Tirane
  • Forcat kurde dhe amerikane hyjnë në Raka

Burime ushtarake bëjnë të ditur se forcat e Partisë Demokratike të kurdëve të Sirisë si dhe forcat amerikane kanë hyrë në brendësi të qytetit Al-Tabake në perëndim të Rakas.

Burimet informative bëjnë të ditur se diga strategjike Al-Furat që siguron një pjesë të madhe të energjisë të Sirisë ndodhet në qytetin Al-Tabake, ndërsa avionët amerikanë janë duke bombarduar ashpër pozicionet e terroristëve të ISIS dhe mijëra civilë janë duke u larguar nga qytetet Al-Tabake dhe Raka. Një komandantë i forcave kurde siriane deklaroi për media se edhe marincat amerikanë së bashku me njësitë artilerike të ushtrisë amerikane janë duke ndihmuar forcat kurde siriane në ofensivën kundër kryeqendrës së ISIS. Sipas këtij komandanti qyteza Al-Kerame dhe disa rajone për rreth saj tashmë janë çliruar dhe luftimet aktualisht po zhvillohet në brendësi të Rakasë. Ndërkohë avionët dhe helikopterët amerikanë u përpoqën t'i dislokojnë forcat kurde për rreth digës së madhe Al-Furat por ky operacion u përball me rezistencën e terroristëve të ISIS. Zëdhënësi i forcave kurde siriane deklaroi se këto forca e mirëpresin pjesëmarrjen e njësive të ushtrisë siriane në operacionin përfundimtar për çlirimin e qytetit Raka në lindje të Sirisë. Talal Selo, zëdhënës i forcave të YPG, deklaroi se këto forca nuk kundërshtojnë pjesëmarrjen e ushtrisë siriane në operacionin për çlirimin e Rakas, kryeqendrës së ISIS në Siri. Ai shtoi se forcat kurde siriane, nën përkrahjen ajrore të SHBA, kanë çliruar katër fshatra në rajonin Al Tabake në perëndim të qytetit Raka. Nga ana tjetër, qeveria e Sirisë, praninë e forcave të huaja në territorin sirian pa autorizimin e qeverisë së Damaskut e ka cilësuar veprim të paligjshëm dhe shkelje të sovranitetit kombëtar të Sirisë. Nga ana tjetër Zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i Qeverisë së Turqisë, Numan Kurtulmus deklaroi sot se Turqia nuk do të marrë pjesë në operacionin e çlirimit të qytetit sirian Raka, nëse në të merr pjesë grupi PYD. Kurtulmus deklaroi se operacioni për çlirimin e fortesës kryesore të terroristëve të DEASH-it në Siri, duhet të zbatohet në bashkëpunim me forcat e moderuara siriane. “Turqia do ta mbështeste operacionin që do të zbatohej me opozitën e moderuar. Megjithatë, Turqia nuk mund të lejojë që në Raka të sillen terroristët e PYD/PKK-së dhe nuk do të përfshihemi në operacion të tillë”, deklaroi Kurtulmus. Megjithatë vërejtjet e funksionarëve turq ndaj pjesëmarrjes së forcave kurde siriane në çlirimin e Rakas janë injoruar nga SHBA dhe Rusia.

Tags